E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilancet, "beteja" për kontrollin e bizneseve

Kur bëhet fjalë për të kontrolluar bilancet e një biznesi, çështja konsiderohet tepër serioze, pasi prek fatin e ekonomisë së një vendi. Në xhiro janë mbi 80 mijë biznese, nga këto 2500 VIP-a, të cilat me ligjin e ri do të kontrollohen në disa forma të reja.

Prej më shumë se dy javësh, në komisionin parlamentar të ekonomisë po diskutohet një projektligj "Për auditimin, ekspertët kontabël të regjistruar dhe kontabilistët e miratuar", i ndryshuar si rrjedhojë e zgjerimit të tregut, por edhe si pasojë e disa kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Çështja kryesore e diskutimit të projektligjit lidhet me disa ndryshime mbi kontrollin dhe certifikimin e bilanceve financiare të biznesit. Me ligjin aktual, bilancin e një biznesi e kryen një kontabilist i miratuar, ndërsa certifikimin e këtij bilanci e kryen eksperti kontabël, në varësi të llojit të aktivitetit privat. Tashmë, varianti i ri i qeverisë i jep të drejtë ekspertit kontabël jo vetëm të certifikojë, por edhe ta kryejë vetë bilancin. Kjo është pika e parë ku grupet e interesit janë përplasur, si me qeverinë, por edhe me njëra-tjetrën. Sotiraq Dhamo, përfaqësues i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar, e kundërshton variantin e qeverisë, pasi "prek cilësinë e informacionit të raportimit kontabël dhe financiar". E thënë ndryshe, të lejosh ekspertin kontabël të bëjë certifikimin dhe bilancin e një kompanie private, rrezikon konfliktin e interesit. Sipas Dhamos, "kjo e drejtë cenon vërtetësinë e bilancit. Për ne kjo zgjidhje konsiderohet si një larm që duhet dhënë. Pra audituesit, të grupuar në organizmin e tyre, do të kenë të drejtën e mbajtjes së kontabilitetit dhe njëkohësisht të lëshimit të opinionit që këto pasqyra të jenë të sakta". Por Linda Rusmaili, ekspertja e Ministrisë së Financave, që ka kontribuar në hartimin e projektligjit, nuk mendon në të njëjtën mënyrë. "Nuk ka konflikt interesi. Nuk do të lejohen ata ekspertë kontabël që për të njëjtin bilanc të bëjnë edhe certifikimin e tij. Në Kodin e Etikës janë të përcaktuara të gjitha sanksionet në rast se vërtetohet një gjë e tillë", tha Rusmaili. Debati lidhet me nenin 2 të projektligjit, i cili bën disa ndryshime në përkufizimin mbi "ekspertin kontabël të regjistruar", që me ligjin e ri do të quhet auditues.

Kundër ligjit janë shprehur edhe ekspertë të tjerë të fushës. Agim Binaj thotë se rreth 40 për qind e projektligjit bie në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian. Duke synuar një luftë më të madhe ndaj bilanceve të rreme, Binaj sugjeron krijimin e një task force. "U bënë gjithë këto vite që punoj dhe nuk kam parë asnjë kontabël të miratuar apo ekspert kontabël që të ndëshkohet për gabimet që bën. Pse për gabimet në bilanc duhet të paguajë biznesi? Është e nevojshme që të rriten sanksionet ndaj atyre që shkelin ligjin, ndërsa task forca do të japë mundësi të rrisë kontrollin ndaj kontabilistëve, në mënyrë që bilancet të jenë sa më të pastra", tha Binaj, duke dhënë njëkohësisht edhe shembullin e falimentimit të "Enron"-it në SHBA, falë falsifikimit të bilanceve.

Certifikimi

Tjetër debat po aq i madh që ka përfshirë ekonomistët lidhet me certifikimin e profesionit kontabilist. Të tjerë ngrenë zërin se në vend nuk duhet të ketë vetëm një institucion, si IEKA që përgatit kontabilistët ose ekspertët kontabël. Neni 12 i projektligjit përcakton kompetencat e një organizmi profesional (IEKA) si të vetmin institucion në treg për kualifikimin profesional të audituesve (ekspertët kontabël), duke e ngarkuar me funksionin e kontrollit të cilësisë, hartimin e rregullave të stazhit etj. Sipas Azis Jatës, themelues i Institutit Kombëtar të Auditive, "ky bie në kundërshtim me direktivat e BE-së". IEKA është një organizëm që drejtohet pjesërisht nga qeveria dhe ekspertët e fushës, krijuar me VKM 10 vjet më parë, në mënyrë që të monitorojë dhe të përgatisë ekspertët dhe kontabilistët e rinj. "Ky është një monopol i pastër. Nuk mund t‘i jepet e drejta vetëm një organizimi për këto funksione", u shpreh në komision, Jata.

Malaj:

Çështja është

tepër delikate

Ish-ministri i Financave dhe nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Arben Malaj, e cilëson debatin e fundit mbi projektligjin "Për auditimin, ekspertët kontabël të regjistruar dhe kontabilistët e miratuar", si tepër delikate. Duke folur dje në parim, Malaj sugjeroi se disa probleme në ligj marrin zgjidhje pas një takimi informal që mund të kryhet mes ekspertëve të fushës (përfshi edhe pedagogët e Fakultetit Ekonomik) dhe qeverisë. "Ajo që ka rëndësi më tepër është rritja e kontrollit mbi bilancin e bizneseve. Kriza ekonomike erdhi si pasojë e mungesës së vërtetësisë të bilanceve të rreme që firma të njohura kishin certifikuar ndër vite, ndërsa erdhi dita dhe u zbuluan, duke sjellë falimentin", tha Malaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›