E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: "Kam 200 milionë dollarë mënjanë për emergjencën"

/>Vizitë e papritur në Kukës. Kryeministri mburret se e ka arkën plot me para
Kam 200 milionë dollarë mënjanë për çdo rast emergjence, kështu ka siguruar dje Berisha lidhur me mundësitë e qeverisë për të përballuar emergjencën. I pyetur nga mediat  nëse e është e gatshme qeveria dhe shtabi i emergjencës që të përballojnë krahas kësaj situate të motit, edhe lëkundjet e mundshme të tërmetit në këto zona, kryeministri u shpreh: Qeveria është e gatshme të përballet me çdo lloj të papriture që mund të ndodhë. Qeveria ka një buxhet shumë të shëndetshëm dhe në këtë buxhet, qeveria mban gjithmonë një sasi që quhet kontigjencë, që do të thotë para të  vendosura mënjanë në buxhet, pa destinacion, por që duhet të  përdoren për destinacione të papritura. Për vitin 2009, kontigjenca është rreth 200 milionë dollarë, një fond ky që i lejon qeverisë të reagojë në çdo situatë. Unë uroj të mos kemi as një problem,  qoftë edhe minimal në këtë aspekt, por në të kundërt, qeveria i siguron qytetarët se ajo është e përgatitur në çdo rrethanë që të përballet me të papriturat që mund të ndodhin.      
Vizita në Kukës
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vizitoi sot qytetin e Kukësit.
Kryeministi arriti në Kukës rreth mesditës, dhe u prit nga qindra banorë të zonës në sheshin "Skënderbej" ndonëse vizita e tij ishte e paparalajmëruar.
Berisha ka thënë se vizita e tij është për të përgëzuar drejtuesit vendorë, në lidhje me mënyrën se si i është bërë ballë situatës problematike të shkaktuar nga rreshjet e dëborës , që kanë rënë ditët e fundit.
Ndër të tjera Berisha përmendi edhe median si një ndër kontribueset kryesore të përballimit të situatës problematike të shkaktuar nga moti i keq.
Gjatë vizitës në Kukës, Kryeministri bëri një vizitë edhe në spitalin e këtij qyteti, për të parë nga afër gjendjen e të sëmurëve të shtruar në këtë spital. Kryeministri vlerësoi punën e shkëlqyer të mjekëve të këtij spitali gjatë këtyre ditëve të veshtira për shkak të situatës së krijuar nga dëbora dhe reshjet. Dua të përgëzoj mjekët e spitalit, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë gjithë këtyre ditëve. Unë vizitova reanimacionin, ku janë operuar të sëmurë që kanë ardhur nga zona të thella dhe ku marrin të gjitha ilaçet dhe mjekimin e duhur. Pavarësisht nga vështirësitë e dëborës dhe motit të keq, në këtë spital ofrohen të gjitha shërbimet dhe për këtë mjekët meritojnë përgëzimin më të madh, u shpreh Kryeministri. Kryeministri kërkoi nga strukturat shtetërore që të ruajnë gjendjen e gadishmërisë e të jenë të mobilizuara për të përballuar situatat që mund të paraqiten.
"Duhen bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar lidhjen e komunave me rrugët nacionale, veçanërisht për të përballuar rastet emergjente në shëndetësi",- ka thënë Berisha.
Për më tepër kryeministri ka ironizuar në lidhje me kryetarin e opozitës duke thënë "Të vijë këtu Edi Rama e të mësojë si mbahen shkollat e të mos tregojë se ka fjetur një natë në Kala të Dodës".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›