E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Presidenti Topi të mos tërhiqet nga presioni i Berishës”



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka vlerësuar deklaratat shqetësuese të ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, për krizën institucionale që ka mbërthyer vendin, pas rrëzimit të dekreteve të presidentit Topi. Meta tha se kolapsi institucional dhe revanshi i Berishës për të uzurpuar institucionet kanë marrë shkas nga ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Gjatë një konference për shtyp, Meta komentoi edhe vendimin e presidentit Topi, për krijimin e një grupi pune, midis të cilëve do të jenë edhe partitë parlamentare për përzgjedhjen e emrave të rinj të Gjykatës së Lartë. Meta tha se LSI-ja është e gatshme të jap mendimet e saj, por sipas tij më e rëndësishme është që presidenti Topi të mos bëjë kompromise nga presionet e kryeministrit Berisha. “Presidenti Topi, nëse gjykon se duhet të konsultohet me faktorët parlamentarë dhe politikë kjo është një e drejtë e tij, ne jemi të hapur të japim mendimet tona. Por unë mendoj se ajo që ka ndodhur në parlament është shumë e rëndë, jo vetëm se janë rrëzuar me një urdhër politik pesë dekretet e presidentit duke cenuar pavarësinë e tij, por unë do të thosha në mënyrë të veçantë është ryzuar një dekret në veçanti për një jurist, me një CV dhe me një eksperiencë, dhe është vërtetë luks për Shqipërinë, sikurse është z. Traja. Në këto kushte mendoj se përpjekjet për të rikuperuar për ato që kanë ndodhur, sidomos pas situatës së Gjykatës së Lartë duhet të vazhdojnë, dhe njëkohësisht do të kërkoja dhe do t’i sugjeroja presidentit Topi që të mos bëjë kompromise nën presionin e veprimeve të tilla brutale sikurse ishin këto të fundit të z. Berisha ndaj presidentit në Parlament”, - tha Meta.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›