E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: “Për 10 ditë zgjidh krizën e Gjykatës së Lartë”

Kreu i shtetit krijon grup pune për përzgjedhjen e kandidaturave. Të pranishëm në seanca do të jenë edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare

Shaban Sulçe

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, merr masa për zgjidhjen e krizës institucionale që ka shkaktuar bllokimi i Gjykatës së Lartë. Edhe pse disa ditë më parë Kuvendi rrëzoi dekretet e tij, Presidenti i Republikës shpreh gatishmërinë për të vënë në funksion normal Gjykatën e Lartë brenda 10 ditëve të ardhshme.
Për këtë arsye kreu i shtetit ka krijuar një grup pune, i përbërë nga ekspertë dhe personalitete të njohura të sistemit të drejtësisë dhe Gjyqësorit, të cilët do të kontribuojnë në përzgjedhjen e 6 kandidaturave të reja për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në përfundim të punës 10-ditore, pas diskutimeve edhe me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, grupi i punës do të prezantojë të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e mbledhura përpara Presidentit të Republikës, i cili në mbështetje të dispozitave të Kushtetutës ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së emrave ndërmjet kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.
Grupi i punës
Zëdhënësja e Presidentit të Republikës, Mimoza Koçiu, tha se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është njohur me situatën e vështirë institucionale dhe kushtetuese, e cila ka çuar në mosfunksionimin normal të Gjykatës së Lartë, për shkak të numrit të lartë të vendeve vakante dhe i vonesave të shkaktuara nga procesi i zvarritur i votimit të dekreteve në Kuvendin e Shqipërisë. “Në këto kushte, në vazhdën e konsultimeve disajavore, Presidenti i Republikës e konsideron të nevojshme marrjen e disa masave të menjëhershme për evitimin e krizës institucionale. Me qëllim mbrojtjen, garantimin dhe zbatimin e kushtetutës si dhe ruajtjen e parimit të pavarësisë institucionale, Presidenti i Republikës vendosi të ngrejë një grup pune me qëllim asistencën në përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë me transparencë të plotë juridike”, - tha Koçiu.
Objektivi
Sipas deklaratës për shtyp të Presidencës, grupi i punës do të ketë për objektiv asistencën ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe do të funksionojë për një periudhë 10-ditore. “Veprimtaria e tij do të realizohet në mënyrë transparente me praninë e mediave në ambientet e Presidencës së Republikës. Grupi juridik i transparencës do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve, mund të kërkojë informacione shtesë, të sugjerojë standarde dhe kritere të tjera që lidhen me etikën, moralin, nivelin profesional të kandidatëve si dhe, kur e çmon të arsyeshme mund të intervistojë një pjesë të tyre”, - tha zëdhënësja e Presidentit të Republikës.
Partitë
Të pranishëm në seancat dëgjimore që do të organizohen në Presidencë do të jenë edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare, që do të ftohen për të prezantuar rekomandimet dhe parimet e vlerësuara prej tyre mbi të cilat, Presidenti i Republikës do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për 6 vendet vakante.
“Seancat dëgjimore dhe konsultative me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, me objekt përcaktimin e standardeve të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë për gjyqtarët e lartë do të jenë transparente dhe në prezencën e medias dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare. Konsultimet dhe rekomandimet e të gjithë faktorëve brenda dhe jashtë sistemit mbi standardet dhe parimet e këtij procesi përzgjedhës, duhet të jenë dhe të mbeten brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore”, - përfundoi deklaratën për shtyp, Mimoza Koçiu, zëdhënësja e Presidentit të Republikës.

Grupi i punës

1. Artur Metani, këshilltar juridik i presidentit
2. Kreshnik Spahiu, zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
3. Virgjil Karaj, sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë
4. Manjola Bejleri, kryetare e Shoq. Kombëtare të Gjyqtarëve
5. Artur Kalaja, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve
6. Prof. Dr. Skënder Kaçupi, dekan i Fakultetit të Drejtësisë
7. Prof. Dr. Aleks Luarasi
8. Prof. Dr. Rustem Gjata
9. Krenar Loloçi, ekspert i të drejtës Kushtetuese

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›