PS: Presidenti të konsultohet me partitë për dekretet, por të vendosë vetë
Partia Socialiste u bën thirrje të gjitha forcave politike për të kontribuar në zgjidhjen e krizës institucionale që është shkaktuar pas rrëzimit nga Kuvendit të dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, deputeti Fatmir Xhafaj, tha se Partia Socialiste mbështeste Presidentin e Republikës në kapërcimin e kësaj krize. “Partia Socialiste nxit Presidentin e Republikës që në respekt të detyrimeve të tij kushtetuese e ligjore të hedhë hapat e duhur për të zgjidhur këtë krizë të radhës me pasoja të konsiderueshme. Partia Socialiste vlerëson se konsultimi me kryetarët e partive politike parlamentare është e drejtë që çmohet e realizohet nga presidenti në ushtrimin e rolit dhe përgjegjësive të tij në cilësinë e kryetarit të shtetit, ndërsa përcaktimi i emrave konkretë që do t’i propozohen Kuvendit mbetet kompetencë kushtetuese ekskluzive e vetë Presidentit të Republikës”, - deklaroi Xhafaj.
Duke shprehur shqetësimin e PS-së për krizën institucionale që shkaktoi rrëzimi i dekreteve të presidentit gjatë seancës të së hënës, Xhafaj tha se është shumë i rëndësishëm zhbllokimi i Gjykatës së Lartë. Sipas tij, një Gjykatë e Lartë e Bllokuar do të thotë më shumë liri për krimin dhe më shumë hapësirë për cenimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë. “Partia Socialiste konsideron se bllokimi i veprimtarisë normale të Gjykatës së Lartë me mosplotësimin e 7 vendeve vakante të saj, ka krijuar tronditje të rëndë në institucionin më të lartë në hierarkinë vendimmarrëse të pushtetit gjyqësor. Sot që po flasim qytetarët shqiptarë janë të cenuar në të drejtën e tyre kushtetuese për t’iu drejtuar shkallës më të lartë të gjykimit në kërkim të së drejtës së pretenduar”, - u shpreh ai. Deputeti socialist tha se PS-ja vlerëson se është momenti për të realizuar një proces sa më transparent konsultimesh me partitë politike parlamentare, shoqërinë civile, komunitetin e gjyqtarëve dhe avokatëve, konstitucionalistë e juristë të shquar në funksion të transparencës së procesit përzgjedhës, kritereve përkatëse dhe informimit të opinionit publik në respektim të kushtetutës dhe domosdoshmërisë për konsolidimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
20 Qershor 2008