G99-a, letër KKRT-së: “Hiqni gjobat ndaj televizioneve që transmetuan spotin tonë”
Lëvizja “G99” i ka çuar dje një letër institucionit të Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, në të cilën kërkon zhvlerësimin e penaliteteve gjobitëse që KKRT-ja ndërmori ndaj Televizioneve Vizion Plus dhe News 24, të cilat transmetuan spotin televiziv të G99-s. Ky vendim i KKRT-së është cilësuar i padrejtë nga ana e lëvizjes “G99”, e cila thekson se statusi i saj nuk është si parti politike, dhe për këtë arsye transmetimi i spoteve të saj nuk kanë pse të cilësohen si shkelje nga KKRT-ja. “Ky veprim konsiderohet nga ana jonë jo vetëm si tërësisht i padrejtë, por edhe arbitrar, pasi institucioni juaj nuk ka kontaktuar zyrtarisht me ne në asnjë moment për t’u interesuar e informuar mbi statusin ligjor të lëvizjes “G99”. Neni 55 i ligjit në fjalë i referohet ndalimit të transmetimit të spoteve prej partive politike dhe shoqatave politike, ndërsa G99-a nuk është subjekt i këtij kategorizimi. Veprimi juaj përbën një precedent të rrezikshëm për standardet e fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes e, për rrjedhojë, përbën një shkelje të parimeve themelore kushtetuese. Lëvizja “G99” është e bindur se ka vepruar në përputhje dhe brenda suazës kushtetuese për të zbatuar të drejtën tonë për t’u shprehur lirisht dhe jemi të përgatitur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe instancat kushtetuese, brenda e jashtë vendit, për të garantuar e mbrojtur këtë të drejtë themelore”, - thuhet në letrën e firmosur nga drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj. Në përfundim të kësaj letre, lëvizja “G99” kërkon nga kryetarja e KKRT-së Mesila Doda dhe nga të gjithë anëtarët e tjerë të këtij institucioni që të rishikojnë urdhrin e gjobitjes ndaj Televizionit News 24 dhe paralajmërimin për gjobë ndaj Vizion Plusit. “Nëpërmjet kësaj letre lëvizja “G99” ju kërkon Juve, zonja kryetare, dhe të gjithë anëtarëve të KKRT-së, ta rikonsideroni urdhrin duke e tërhequr atë, e të lejoni transmetimin e spoteve tona, për të riparuar në këtë mënyrë një shkelje abuzive të së drejtës sonë për t’u shprehur”, - thuhet në letrën drejtuar KKRT-së nga lëvizja “G99”.
5 Shtator 2008