E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha rinovon aleancën me Cekën

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me kryetarin e partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Kryeministri Berisha duke u shprehur i kënaqur për këtë marrëveshje ka veçuar se nëpërmjet saj dy partitë vendosin të funksionojnë në një koalicion të plotë, të fitojnë zgjedhjet, të qeverisin dhe të jenë së bashku, të jenë një parti. Me këtë marrëveshje këto dy parti vendosin të funksionojnë në një koalicion të plotë, të fitojnë zgjedhjet, të qeverisin dhe të jenë së bashku, të jenë një parti. Kjo është një formë koalicioni pothuajse e përsosur, do ta quaja. Kam kënaqësi shumë që e arritëm këtë moment shumë të rëndësishëm për të dy forcat politike. I garantoj të gjithë anëtarët e Aleancës Demokratike se në bashkëpunimin me ata, Partia Demokratike sheh një perspektivë reale si të fitores ashtu edhe të një qeverisje të mandatit të dytë plotësisht të suksesshme, ka theksuar kreu i qeverisë ku ndër të tjera ka shtuar se nëpërmjet kësaj marrëveshje bashkohen jo vetëm votat, por edhe kualitetet njerëzore të cilat ai i vlerëson tepër të rëndësishme për vendin. Ndërsa në fjalën e tij, kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka vlerësoi se marrëveshja elektorale PDSH -PAD do ti japë më shumë vlera koalicionit të së djathtës. Kanë qenë 4 vite të menaxhimit më të mirë që ka pasur ndonjëherë ekonomia shqiptare, të ndërtimit të institucioneve demokratike më të qëndrueshme dhe të imazhit më të mirë që ka Shqipëria edhe në sferën ndërkombëtare, u shpreh Ceka. Ndër të tjera ai ka garantuar se së bashku me PD do të jetë jo vetëm pjesë e betejës elektorale, por edhe pjesë e fitores. Partia Aleanca Demokratike u formua nga Neritan Ceka në vitin 1992 dhe nga deputetë që patën divergjenca me Partinë Demokratike të kryesuar nga Sali Berisha. PAD u bë pjesë e qeverisë socialiste në vitin 1997. Në zgjedhjet e vitit 2001, ata morën 2.4 për qind të votave duke fituar 3 vende në parlament. Bashkëpunimi me qeverinë e PS vazhdoi deri në momentin që kjo e fundit humbi zgjedhjet në vitin 2005. Më pas Ceka zgjodhi të bashkëpunonte me LSI, dhe tani në fund të bëjë koalicion me PD-në e Berishës, ku ka bërë pjesë 17 vjet më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›