E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha, roja private i pronave të Fazliçit”

Autori i Lajmit: red.
Kreu i PS 91, njëkohësisht deputet i grupit parlamentar “E Majta për Integrim”, Petro Koçi, akuzon kryeministrin Sali Berisha për mbrojtjen e tij ndaj Damir Fazliçit. Sipas tij, “Qeveria Fazliç” ka ndërmarrë rolin antikushtetues të avokatit mbrojtës të gangsterit Fazliç kundër sistemit shqiptar të drejtësisë. “Berisha është kthyer në roje private të pronave të Fazliçit, një roje aq fanatike sa duhet për të ruajtur pronat personale.
Një kryeministër i tillë, që shet shtetin, sistemin kushtetues të drejtësisë për pronat e tij apo ato të miqve të tij, duhet shkarkuar një orë e më parë”, - tha ai. Por sipas tij, Qeveria nuk rrëzohet me fjalime dhe hartime dhe as duke bashkëpunuar me të për të ndryshuar Kushtetutën në favor të Fazliçit e as duke bërë me të biznesin e Kodit Zgjedhor dhe të shesheve mbi- dhe nëntokësore të ndërtimit në Tiranë. “Kryeministri i Qeverisë “Fazliç” nuk mund të jetë njëkohësisht edhe burrë shteti me të cilin reformohet Kushtetuta, sistemi zgjedhor dhe taksat vendore, por edhe i inkriminuar , i dyshuari kryesor i korruptuar etj”, - tha ai, ndërsa shtoi se opozita nuk mund të përdorë dy standarde të kundërta, njërin për hartime e fjalime, e tjetrin për veprime. Sipas Koçit, ka ardhur koha për një qeveri teknike dhe të bllokohet çdo bashkëpunim me mazhorancën.

Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›