E Diel, 1 Nëntor 2026

“Morsa” një dramë psikologjike, konkurron në festivalin e të rinjve 09



Izaura Ndoj
Mbrëmë në sallën e re të Teatrit Kombëtar në Tiranë, vijojë konkurrimin regjisorja Najada Elmazi, me dramën “Morsa” të shkrimtarit italian Luigi Pirandello, me skenografi të Beqo Nanaj dhe kostumografi nga Edlira Qyshka. Në këtë pjesë interpretojnë gjithashtu emra të njohur të skenës shqiptare si, Dritan Boriçi, Klodjana Keco dhe Gjergj Mena. Thelbi i saj konsiston në faktin e degradimit të këtyre marrëdhënieve deri në një dhunë të madhe psikologjike, që mund të finalizohet me disa pasoja fatale për jetën, deri në vdekje. Ngjarja zhvillohet në një shtëpi province. Xhulia dhe Andrea Fabri janë bashkëshortët, të cilët jetojnë së bashku me fëmijët e tyre në këtë shtëpi. Antonio Sera është mik dhe avokat i tyre. Antonio dhe Andrea kanë shkuar në qytet për një çështje tregëtije në lidhje me tokat në fshat. Antonio kthehet më parë se ai, por arsyeja e këtij nxitimi është presioni që Andrea ka ushtruar ndaj tij. Ai nuk kishte pohuar asgjë hapur, por kishte nënkuptuar se është në dijeni të lidhjes së tij me të shoqen Xhulia. Antonio i shpreh dyshimet e tij duke u ndërgjegjësuar të dy për pakujdesitë e tyre. Xhulia vendos t’i jap fund marrëdhënies së tyre. Pas ardhjes së Andreas dhe pyetjeve rutine, ai fillon një hetim të mirë studiuar. Xhulia dorëzohet duke pranuar tradhtinë. Ajo kërkon falje në emër të gjërave më të shenjta, të fëmijëve, por çdo gjë i mohohet. E shtyrë në këtë tunel pa rrugëdalje dhe e shtypur plotësisht nga “Morsa”, në të cilën e ka futur i shoqi dhe i dashuri, Xhulia vendos t’i japë fund jetës. Kjo vepër konkurron për çmim në edicionit të katërt të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që do të mbahet në Tiranë nga data 20 deri në 25 nëntor. Projekti për të rinjtë është konceptuar si konkurs që u jep mundësinë artistëve të rinj të regjisë, skenografisë, kostumografisë dhe aktrimit të debutojnë krijimet e tyre në skenën e TK, me qëllim zbulimin dhe evidentimin e talenteve të rinj, të paafirmuar më parë, të cilët do të rigjenerojnë trupën dhe do të sjellin risi më këtë zhanër. Impakti i këtij projekti është ndikimi i drejtpërdrejtë në integrimin e artistëve të rinj në institucionet publike të artit, mundësimin e konkurrencës mes të rinjve më të spikatur dhe rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike kombëtare të kulturës për krijimin e hapësirave në shërbim të artistëve të rinj. Për vitin 2009, përpos Festivalit të së Rinjve, i cili kurorëzohet me shpalljen e veprës fituese dhe përfshirjen e saj në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar, është menduar që premierat të kryejnë një turne në disa nga teatrot e rretheve të vendit dhe kjo në funksion të njohjes dhe afirmimit të artistëve të rinj edhe në teatrot e qyteteve kryesore. Gjatë këtij festivali do të konkurrojnë vepra të tilla si “Norvegjia sot” e Igor Bauersima, “Shtëpia e Bernarda Albës” Lorkës, “Banorët e shkallës V” e Kin Dushit, “Parfumeria” e dramaturgut kosovar Haqif Mulliqi, “Morsa” e Luigi Pirandellos dhe “Fundi i lojës” e dramaturgut irlandez Samuel Becket.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›