“Një bucelë në bjeshkë”, koncerti recital nga këngëtari Lekë Pecnikaj
Tingujt e muzikës popullore kanë ardhur në koncertin recital të këngëtarit Lekë Pecnikaj. Koncerti me titull “Një bucelë në bjeshkë”, u zhvillua mbrëmë në skenën e TKOB ku përveç këngëtarit Pecnikaj të pranishëm me zërin e tyre ishin Fatmira Breçani, Irini Qirjako, Dionis Delia, Sabahet Vishnja, ku morën pjesë dhe grupi i valleve, kori dhe ekstra e Ansamblit Popullor. Udhëheqës artistik i koncertit ishte Lejla Agolli, regjisor Llesh Nikolla, drejtues orkestre Vladimir Hasimi, koreograf Rexhep Çeliku dhe dirigjent kori Gramoz Burba. Publiku në këtë koncert që u zhvillua në skenën e TKOB, ka shijuar disa prej pjesëve më të mira të krijimtarisë sonë popullore, ku tingujt tradicionalë kombëtarë do të jenë nën interpretimin e artistëve të njohur të ansamblit. Lekë Pecnikaj është pjesëmarrës në shumë aktivitete të organizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ka hedhur në treg katër albume muzikore gjatë periudhës 1999- 2009. Këto albume kanë qenë bashkëpunime me poetet Jorgo Papingji, Hamit Aliaj, Armand Trebicka, Gjoke Beci etj. Ndër kompozitorët më të cilët ai ka punuar kanë qenë: Edmond Zhulali, Kole Susaj, Skender Dozhlani, Jetmir Mehmeti etj.
Java e filmit Shqiptar”, në Strugë mbahet edicioni i dytë i evenimentit artistik
Java e Filmit Shqiptar” është evenimenti artistik që pritet të mbahet gjatë këtyre ditëve në qytetin e Strugës në Maqedoni. Sipas të dhënave të organizatorëve të tij, ai realizohet nga Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar (AQFSH), “Poshka Art Teatër”, “Teatri Sofra” etj. Në javën e kohëzgjatjes së tij, bëhet me dijeni se do të paraqiten disa nga filmat më të rinj të regjisorëve më të mirë nga Shqipëria, përkatësisht gjatë datave 23-26 nëntor. Ndërsa në ditën e fundit të festivalit do të ndahen çmimet: Emocioni më i mirë, Fotografia më e mirë, Skenari më i mirë dhe Filmi më i mirë i edicionit të dytë me radhë të festivalit. Ky eveniment artistik do të jetë shoqëruar edhe me momente të tjera artistike të krijuara gjatë pauzave të tjera të filmave. Ky është edicioni i dytë i këtij festivali që mbahet në qytetin e Strugës dhe shërben për promovimin e vlerave dhe aktorëve të filmit shqiptar.
Piktorët e ngjyrave në Muzeun Kombëtar në Tiranë
Nga 25 nëntori deri më 6 dhjetor, 32 artistë shqiptar do të ekspozojnë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Kjo ekspozitë e përvitshme e titulluar “Nëntori” përjeton sivjet edicionin e saj të 12-të. Disa prej piktorëve prezantues në këtë edicion kanë qenë të pranishëm që në vitin e parë të hapjes së “Nëntorit”. Artistët prezantohen këtë radhë me portrete, peizazhe, natyra të qeta dhe tema të lira. Ngjyrat janë një nga karakteristikat e veprave që ekspozohen në këtë ekspozitë, gjë që vihet re tek të gjithë pikturat që prezantohen këtë vit si ajo me titull “Urbane” e piktorit Agron Mesi, “Portret” nga Agim Zajmi, “Kompozim” nga Hasan Nallbani, peizazhi i Ksenofon Dilos “Vjeshtë anës lumit”, “Revoltë në ferr” nga Llazar Taçi, “Cigania” e Pashk Përvathit, “Ngjyrat e vjeshtës” së Robert Gucit, “Jeta është e bukur” e Stefan Taçit etj. Që në fillesat e saj kjo ekspozitë vjetore i është përmbajtur të njëjtit profil duke ftuar të marrin pjesë vetëm piktorë të ngjyrës dhe kombinues të mirë të saj.
Të rinjtë rikthejnë Lorkën në teatër
”Shtëpia e Berndarda Albes” e Federiko Garsia Lorkës do të konkurrojë si premierë e festivalit të regjisorëve të rinj sot, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Lorka rikthehet pas një mungese të gjatë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar nën regjine e të rinjve të festivalit të dramës. Kjo vepër e dramaturgut dhe poetit të shquar spanjoll është ngjitur për herë të parë në vitin 1961në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në atë kohë në rolin e Bernarda Albes luante Marie Logoreci. Ngjarjet e dramës zhvillohen në Andaluzi. Nëntë aktore femra, me në krye personazhin e Bernarda Albes, luftojnë për dashurinë e një mashkulli. Lorka e shkroi pjesën rreth viteve '30 të shekullit të kaluar, megjithatë sipas Hotit, regjisorja shqiptare e pjesës, shumë pjesë të dramës kanë një ngjashmëri me jetën e një "burrneshe" të veriut të Shqipërisë.
23 Nentor 2009