E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shkarkon Picarin, vjen Sefgjini

Aksioni për rritjen e të ardhurave tatimore sjell në krye të tatimeve Arben Sefgjini
Arben Sefgjini do të jetë Drejtori i ri Përgjithshëm i Tatimeve, pas lirimit nga detyra të Gerta Picarit . Vetë kryeministri Sali Berisha ka firmosur dje emërimin e tij në këtë post. Më parë Sefgjini ka mbajtur postin e ish- zv/drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Informativ në kryeqytet gjatë viteve 1992-1997 dhe deri dje ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit.
Referuar shifrave të bëra publike nga ana e Ministrisë së Financave për 11-mujorin 2007, të ardhurat tatimore janë realizuar në një masë prej 96.8%, ose në shifër 82 milionë dollarë më pak se plani i vendosur nga ana e Ministrisë së Financave.
Prej më shumë se një viti, “lufta” për një rritje me ritme të shpejta të të ardhurave tatimore ka bërë kurban 2 drejtuesit më të lartë të Tatimeve në vend. Gjatë 2 viteve të fundit, aksioni për të rritur me çdo kusht të ardhurat ka bërë që edhe ligjet tatimore të ndryshojnë në periudha të shkurtra kohore, duke eksperimentuar efektin e tyre vetëm në një drejtim, në atë të rritjes së të ardhurave nga tatimet. Mosarritja e të ardhurave sipas planit të paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave, ka bërë që edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Gerta Picari të lërë detyrën vetëm 6 muaj pas marrjes së saj, duke pasur një jetëgjatësi të shkurtër në detyrë. Sipas burimeve brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, shkarkimi i Picarit ka ardhur me urdhër të drejtpërdrejtë nga kryeministri Berisha. Në vend të Picarit, në krye të Drejtorisë së Tatimeve ka ardhur Arben Sefgjini. Arben Sefgjini, i njohur si një nga tre personat e akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, do të jetë Drejtori i ri i Përgjithshëm i Tatimeve. Vetë kryeministri Sali Berisha ka firmosur dje emërimin e tij në këtë post. Më parë Sefgjini ka mbajtur postin e ish- zv/drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Informativ në kryeqytet gjatë viteve 1992-1997 dhe deri dje ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit. Emri i Sefgjinit është bërë i njohur 5 vjet më parë, kur u akuzua nga Prokuroria se ishte një nga pjesëmarrësit në pengmarrjen e më pas zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Biznesmeni u mor peng në mënyrë shumë misterioze nga SHIK-u në vitin 1995. Deri në vitin 1997 familjarët e tij i kanë kërkuar shtetit shqiptar shpjegime, por janë përcjellë nga njëra derë në tjetrën. Hetimet për këtë çështje që kanë filluar në vitin 1997 edhe ato u lanë përgjysmë. Vetëm në vitin 2003 ato janë rihapur sërish duke sjellë edhe arrestimin e Arben Sefgjinit, Budjon Meçes dhe Avni Kolgjinit, në 22 maj. Sipas akuzës së prokurorisë, kishte qenë vetë ish- zv/ drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Informativ në kryeqytet, Arben Sefgjini, ai që kishte dhënë urdhrin për kapjen e Remzi Hoxhës. Akuza zyrtare në ngarkim të tij, ishte ajo e “shpërdorimit të detyrës” dhe “ushtrimit të torturës” ndaj shtetasit maqedonas Remzi Hoxha. Kjo akuzë u rrëzua më pas dhe Sefgjini u shpall i pafajshëm duke lënë qelitë e burgut.
Tatimet, 82 mln USD humbje
Referuar shifrave të bëra publike nga ana e Ministrisë së Financave për 11-mujorin 2007, të ardhurat tatimore janë realizuar në një masë prej 96.8%, ose në shifër 82 milionë dollarë më pak se plani i vendosur nga ana e Ministrisë së Financave. Ndërsa për shkarkimin e Picarit, të përfolur tashmë prej javësh, nuk ka një arsye zyrtare, burime nga ana e Ministrisë së Financave bëjnë me dije se janë pikërisht mosarritja e targeteve të vendosura që ka sjellë një rezultat të tillë. Gerta Picari ka kryer detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Statistikave (INSTAT), që prej janarit te vitit 2006 dhe deri në mes të vitit 2007, kohë në të cilën mori edhe postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve. Ajo gjithashtu ka drejtuar Drejtorinë e Politikave Makroekonomike dhe Fiskale, në Ministrinë e Financave, si dhe ka kryer funksionin e konsulentes lokale, ekonomiste analiste pranë Bankës Botërore në Tiranë. Largimet e krerëve të Tatim-Taksave, vijnë në një kohë që ky dikaster është përfshirë në një aksion për rritjen e të ardhurave. Vënia nga ana e qeverisë e targeteve tepër të larta për tatimet, ka sjellë një situatë të nderë midis tatimorëve dhe biznesit, gjatë këtyre muajve të fundit. Futja në fuqi edhe e ligjeve të miratuara së fundmi, që parashikojnë marrjen e gjobave në parapagim, sekuestrime të pasurive të biznesit dhe vendimit për pagat e referencës, ka rritur në maksimum pakënaqësitë e sipërmarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›