Urdhër-arreste të reja për masakrën e Qafë-Gjashtës
TIRANË- Katër urdhër-arreste janë lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë ndaj të dyshuarve të tjerë të implikuar në masakrën e Qafë-Gjashtës. Burimet e rezervuara pranë togave të zeza konfirmuan lajmin e urdhër-arresteve, duke shtuar se është caktuar edhe masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për katër të dyshuarit e tjerë, për t’i lënë dorë të lirë efektivëve të policisë në prangosjen e tyre. “Pas hetimeve dymujore dhe marrjes në pyetje të gjashtë të dyshuarve të parë të dosjes së “Qafë Gjashtës”, kemi arritur në konkluzion se në vrasjen e policit Gjergji Mehmeti, plagosjen e ish-shefit të krimeve Sokol Bizhga dhe pengmarrjen e policit Eduart Alia më 4 mars të vitit 1997 janë përfshirë edhe katër persona të tjerë, që janë në gjendje të lirë. Duke parë se emrat e tyre kanë dalë në hetimet paraprake si pjesëmarrës aktivë në këtë ngjarje makabre, i kemi kërkuar gjykatës të caktojë masat e sigurisë “arrest me burg” duke i dërguar edhe disa prova që implikojnë të katër të kërkuarit. Tashmë dhe këto vendime ia kemi kaluar policisë së shtetit për ekzekutim”,-thuhet nga burimet pranë grupit hetimor të çështjes.
Të akuzuarit
Emrat e katër të pandehurve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve delikate dhe frikës se këta të dyshuar mund të largohen nga vendi, për t’iu shmangur arrestimit dhe hetimit të çështjes. “Emrat e katër të dyshuarve që janë shpallur në kërkim janë dhënë nga të gjashtë të arrestuarit, Edmond Sejko, Vladimir e Nestor Sinani, Eduart Çipa dhe Alqi Paguni, si i dyshuari që ndodhet në liri, Leonard Theodhori. Këta të pandehur në dëshmitë e tyre kanë dhënë emrat e katër të shpallurve në kërkim, duke i akuzuar si persona pjesëmarrës në vrasjen dhe më pas djegien e trupit të policit Gjergji Mehmeti dhe rrahjen e torturen 15 ditëshe ndaj oficerit Eduart Alia”,-thuhet nga burimet. Pritet që në ditët në vazhdim të kryhet arrestimi i tyre, që mendohet se kanë qenë anëtarë të Komitetit të Shpëtimit të qytetit të Sarandës që u krijua pas trazirave të vitit 1997 në gjithë qytetet e Shqipërisë.
Hetimi
Sipas prokurorisë, deri më tani nga hetimet intensive të prokurorëve Adnan Xholi dhe Përparim Kulluri janë siguruar disa dëshmi të të pandehurve, që kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë, kaseta filmike të regjistruara në atë kohë nga gazetarë të huaj dhe shqiptarë, një sërë fotosh të personave që duken qartë duke tërhequr trupin dhe torturuar policin e marrë peng Eduart Alia, që tashmë ndodhet në Itali së bashku me familjen. “Ka qenë data 4 mars e vitit 1997 kur tre efektivët e policisë së Vlorës ishin nisur për në qytetin e Sarandës, me urdhrin për të vendosur qetësi në atë qytet pasi tre ditë para ngjarjes ishte djegur komisariati i Sarandës. Në makinën e tipit “Benz” ishin ulur oficerët e policisë Gjergji Mehmetaj, Eduart Aliaj dhe Sokol Bizhga, të cilët sapo mbërritën te vendi i quajtur Qafë- Gjashtë hasën një postbllok të personave të armatosur të cilët pas një debati të vogël qëlluan duke vrarë policin Mehmetaj dhe më pas djegur trupin e tij, plagosën dhe morën peng Eduart Aliaj, ndërsa i shpëtoi plumbave Sokol Bizhga, i cili iku me vrap nga vend ndalimi”,-thuhet nga prokuroria.
TË ARRESTUARIT
Vladimir Sinani
Nestor Sinani
Edmond Sejko
Eduart Çipa
Alqi Paguni
NË GJENDJE TË LIRË
Leonard Theodhori