E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faljet për festat e fundvitit, burgjet gati propozimet për të dënuarit



Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është duke grumbulluar dosjet personale të të gjithë të dënuarve me sjellje të mira, të cilat do ia referojë Presidencës për t’i përfshirë në listat e faljeve apo uljeve të dënimit, nëse do të ketë këtë vit për festat e fundvitit. Fakti konfirmohet nga kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili deklaroi se stafi i të gjitha burgjeve, për të dënuarit që plotësojnë kriteret e përfshirjes në dekretin e faljes apo uljes së dënimit, është duke përgatitur nga një dosje. Këto dosje do të dorëzohen në Presidencë, në pritje të ndonjë faljeje nga ana e kreut të shtetit. Duke qenë se nëntori ka dy festa të rëndësishme për vendin, atë të Çlirimit dhe Pavarësisë, nga ana e zyrës së Presidentit ka pasur në vitet e kaluara falje apo ulje dënimi. Me shpresën se këtë vit, ndryshe nga dy vitet e kaluara, do të ketë falje për festat e fundvitit, burgjet janë duke përgatitur dosjet për të qenë gati në momentin që do t’u kërkohet një gjë e tillë. Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm të dënuarish janë duke depozituar kërkesa individuale përmes familjarëve të tyre në Presidencë, me shpresën e përfshirjes në listat e faljes apo uljes së dënimit, nëse do të ketë të tilla. Madje, apeli i vetëm i të dënuarve nga qelitë e burgjeve në këto tre muajt e fundit ka qenë vetëm për Presidentin Bamir Topi, të cilit i kërkojnë të aplikojë ligjin e faljeve për këtë fundvit. I pyetur nga media, drejtori Dibra u shpreh se aktualisht, nisja e punës nga Shërbimi i Provës ka bërë që të ketë një ulje të mbipopullimit në burgje, ndërkohë që theksoi se 16 të miturit që gjendeshin në burgun e Vaqarit janë dërguar në institutin e riedukimit në Kavajë, i cili pritet të inaugurohet së shpejti.

Aktiviteti

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi dje në sallën e Teatrit Kombëtar aktivitetin “Midis tri kohëve”. Në këtë aktivitet, që u zhvillua në kuadër të promovimit të trajtimit human të të dënuarve për rehabilitimin e personave me liri të kufizuar, morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, zv.ministri i Drejtësisë, Ermal Dobi, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, si dhe artistët e mirënjohur të skenës shqiptare, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu, Sherif Merdani etj. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte sensibilizimi i institucioneve dhe shoqërisë civile për trajtimin sa më human të personave në konflikt me ligjin, si dhe prezantimi i ndryshimeve të metodave të punës në vite. Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve theksoi se “sot, të gjithë ne jemi koshientë për ndryshimet rrënjësore që ka pësuar sistemi i burgjeve, si dhe trajtimi dhe perceptimi për njerëzit që vuajnë dënime”. “Ne duhet të ndjehemi shumë krenarë nga këto ndryshime, pasi kemi bërë hapa përpara në vendosjen e standardeve bashkëkohore në legjislacion, infrastrukturorë, në sistemin penitenciar, duke krijuar siguri dhe trajtim human”, - tha z. Dibra. Duke bërë të njohura zhvillimet në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u shpreh se “sot ne kemi kurse profesionale, kompjuterike apo të mësimit të gjuhëve të huaja, të cilat ndiqen nga dhjetëra të dënuar”. “Për të dënuarit kemi aplikuar procedurat e reja në punësimin e tyre. Në këtë kuadër mund t’ju them se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po punon intensivisht për të krijuar të gjitha hapësirat, për punësimin e të dënuarve jashtë I.E.V.Penale”, - u shpreh zoti Dibra. Vlerësime shumë pozitive për ndryshimet e ndodhura në sistemin e burgjeve dhanë gjatë përshëndetjeve edhe artistët e mirënjohur, Margarita Xhepa, Bujar Kapexhiu dhe Mirush Kabashi. Aktiviteti “Midis tri kohëve” ishte i konceptuar në 3 pjesë. Ai filloi me ekspozimin e punimeve artistike të punuara nga të dënuarit. Gjatë pjesës së parë u bë një rezyme e shkurtër e burgjeve në periudhën e sistemit komunist. Pjesa e dytë prezantoi fillimin e ndryshimeve demokratike me ndërtimin e burgjeve të reja konform standardeve evropiane dhe rikonstruksionin e burgjeve ekzistuese. Pjesa e tretë e aktivitetit ishte prezantimi i punës nga Sektori i Problemeve Shoqërore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me stafet e Shërbimit të Kujdesit Social. Gjithashtu u pasqyruan reformat e shumta në drejtim të zhvillimit të arsimit, kurseve profesionale, si dhe aktiviteteve kulturore dhe sportive që i shërbejnë riintegrimit të këtyre personave në komunitet. Në fund të këtij aktiviteti, të gërshetuar me këngë dhe recitime, u bë edhe ndarja e tri çmimeve për poezinë më të mirë. Artistët e mirënjohur Mirush Kabashi, Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu i dorëzuan çmimin e parë Taulant Balliut, ndërsa çmimet e dyta dhe të treta u dhanë përkatësisht për Dragot Skanën dhe Adrian Muçon.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›