Letër-porosia; Shtyhet për tre muaj gjyqi ndaj Aldo Bares
Gjykata ka shtyrë edhe për tre muaj të tjerë gjyqin në ngarkim të kapobandës së Lushnjes, Aldo Bare. Shkak është bërë mosekzekutimi i letër-porosisë, duke detyruar togat e zeza që t’i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë sërish përfundimin e kësaj procedure. Gjykata është duke pritur përgjigjen e të pandehurit Aldo Bare, lidhur me vijueshmërinë e procesit gjyqësor. Nga burgu në Turqi, Bare pritet të vendosë nëse gjyqi duhet të vazhdojë pa praninë e tij, pra në mungesë, apo të shtyhet deri në ekstradimin e tij. Gjyqi ndaj shumë të kërkuarit të drejtësisë, Aldo Bare, i cili ndodhet i arrestuar në Turqi, ende nuk ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndonëse shorti për këtë dosje është hedhur gjashtë muaj më parë. Mosnjoftimi i të pandehurit për nisjen e gjykimit përmes letër-porosisë ka bërë që gjyqtarja Fatmira Hajdari të vendosë shtyrjen edhe për tre muaj të nisjes së procesit, për t'i dhënë kohë Ministrisë së Drejtësisë të ekzekutojë letër-porosinë. Aldo Bare së bashku me bandën e tij akuzohen për një sërë krimesh të ndodhura në qytetin e Lushnjes nga viti 1997 deri në vitin 2003. Një pjesë e grupit të tij dhe krahu i djathtë, Enver Dondollaku, janë dënuar nga drejtësia shqiptare, ndërkohë që vetë kapobanda dhe pjesa e urdhëruesve dhe zbatuesve të urdhrave të tij janë duke u gjykuar tashmë nga Krimet e Rënda. Madje, për shkak të konsumimit të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, kjo gjykatë ka huazuar për të gjykuar gjyqtarë penalistë e civilistë të Gjykatës së Tiranës.