E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shkel pas 12 vjetësh në Tropojë, kërkon votat për PD-në

Kryeministri: “Mendjen e kam pasur gjithmonë te ju”

Eljona Ballhysa
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka shkelur dje pas 12 vitesh në qytetin e Tropojës, vendlindjen e tij. Për shkak të mungesës së gjatë në këtë qytet kryeministri Berisha është pritur nga shumë qytetarë të Tropojës, që njihet si një zonë bastion e PD-së. Në rrugën kryesore të qytetit ishin vendosur banderola me mbishkrimin “Mirëserdhe bir i Tropojës”, ndërsa mitingu u zhvillua në një atmosferë festive për shkak edhe të pranisë së këngëtarëve të shumtë. Ndërsa rrugët ishin “blinduar” nga forca të shumta të policisë që kishin ardhur nga Tirana e Shkodra.
Berisha, gjatë fjalës së tij drejtuar banorëve të Tropojës, u shpreh se gjatë gjithë kohës ka menduar për ta, për vendlindjen e tij, ku ai mësoi që në fëmijëri të dojë atdheun. Kreu i PD-së kërkoi votën e tropojanëve për të vazhduar ndryshimin me qeverinë e PD-së, ndërsa premtoi vazhdimin e reformave në mbarë vendin. Gjatë vizitës së tij në rrethin e Tropojës Berisha bëri disa përurime dhe sulmoi kreun e PS-së, Edi Rama.
Thirrja
Që në fillim të fjalës së tij drejtuar banorëve të Tropojës kreu i PD-së u shpreh se i ka pasur ata gjithnjë në mendje, megjithëse i ka munguar prej 12 vitesh këtij qyteti. “Unë jam sot midis jush, para së gjithash për të shprehur krenarinë time të madhe, krenarinë time të pakufishme për ju dhe se jam njëri prej jush. Sikundër dua t’ju siguroj ju se kudo që unë ndodhem, në Tiranë, apo në metropolet e Europës e të botës, në çdo vend, në çdo takim, mendja ime, çdo ditë, qindra herë në ditë, vjen tek ju, vjen këtu në Tropojë, vjen në ketë vend më të dashurin për mua mbi këtë dhe”, - është shprehur Berisha, ndërsa ngriti lart vlerat patriotike të qytetarëve të Tropojës ndër vite. Kreu i qeverisë u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij që të votojnë për PD-në për të vazhduar ndryshimin e nisur dhe për ta bërë Tropojën dhe Shqipërinë europiane.
“Ju ftoj ju që të vazhdojmë së bashku projektin tonë të dytë, të Tropojës europiane, të Shqipërisë europiane. Tropojë europiane për ju dhe për mua do të thotë që ju qytetarë të kësaj treve të udhëtoni kudo në rrugë të standardeve europiane. Kam ardhur sot këtu për t’ju dhënë fjalën se nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në këtë vend. Kam ardhur këtu për t’ju dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë distancën tuaj me Tiranën do të afrojmë së paku 110 km. Kam ardhur këtu që të zotohem para jush se do të bëj çdo gjë që Alpet, pasuria përrallore e Tropojës dhe e Shqipërisë, të shndërrohen në një të mirë, në një vlerë, për secilin prej jush dhe mbarë shqiptarët, me rrugë të asfaltuara në të dyja drejtimet. Ne e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, ne do ta përgatisim Shqipërinë për anëtare të BE-së, ne do të fitojmë lirinë e lëvizjes, ne do të lëmë mbrapa në rroga dhe pensione qytetarët e 6 vendeve anëtare të BE-së”, - ka premtuar kreu i PD-së.
Sulmi
Gjatë fjalës së mbajtur në mitingun e Tropojës, Berisha, duke iu referuar ngjarjeve të vitit ’97, garantoi se do të vihen para drejtësisë autorët e vrasjeve të kryera në atë vit. “Për mua dhe për ju ’97-a është periudha më e dhimbshme në tërë historinë e Tropojës, sepse me një urrejtje primitive ndaj kontributit tuaj, bandat u veshën me pushtet dhe ekzekutuan djemtë e Tropojës. Atë që historia u rezervoi pushtuesve, atë që historia u rezervojë keqbërësve, do t’u rezervoj edhe autorëve të ’97-s në Tropojë”, - është shprehur Berisha. Ndërsa kreut të PS-së, Rama, i bëri thirrje që të heqë “Çelësin e artë” të qytetit të Tiranës që ia ka dhënë një prej këngëtarëve që i ka kënduar barbarive serbe në Kosovë, Goran Bregoviçit. “Do t’i them zotit Rama të vish sa herë të duash në Tropojë. Të kërkova që t’i kërkosh ndjesë Tropojës për ato që i bëtë në vitin 97. Nuk e bëre këtë sepse nuk njeh ti, me arrogancën tënde, me prepotencën e trashëguar, ndjesën dhe faljen njerëzore, por unë tani nuk të them më që të kërkosh falje. Ajo që të kërkoj është kjo, që para se t’u drejtohesh qytetarëve të Tropojës, socialistëve të Tropojës për votën, duket të heqësh ‘çelësin e artë’ të Bashkisë, ‘çelësin e artë’ të kryeqytetit të shqiptarëve që vendose mbi gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi vëllezërit në Kosovë, famëkeqit Bregoviç. Këtë do ta bësh se përndryshe do të mbledh Këshillin Bashkiak në mocion mosbesimi ndaj teje”, - është shprehur Berisha ndërsa ka “kërcënuar” kundërshtarin politik.
Përurimet
Gjatë vizitës në qytetin e Bajram Currit, kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e ndërtimit të rrjetit të jashtëm, të ujësjellësit të këtij qyteti, me vlerë 363 milionë lekë. Kryeministri tha se me ndërtimin e këtij ujësjellësi zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë për zonën e Bajram Currit dhe të disa fshatrave përreth. Berisha gjithashtu përuroi përfundimin e një segmenti rrugor prej 13 kilometrash në komunën Margegaj, pjesë e rrugës që lidh qytetin e Tropojës me grykën e Valbonës dhe fshatrave përreth. Duke e cilësuar rrugën si një ndër më të bukurat e Shqipërisë, kryeministri tha se kjo rrugë, për cilësitë e veçanta të saj, do të mbajë emrin e heroit të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, Azem Hajdari. Gjatë ditës së djeshme Berisha zhvilloi takime elektorale në qytetin e Hasit dhe të Kukësit.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›