E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Farkë: “Qarkut të Tiranës do t’i japim statusin metropol”

Kryesocialisti prezanton kandidatët e PS-së për qarkun e Tiranës. Rama: “Projekti ynë u jep një superzhvillim të gjitha zonave të kryeqytetit

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar kandidatët e PS-së në qarkun e Tiranës në komunën Farkë. Gjatë takimit në këtë komunë, Edi Rama ka premtuar dhënien e statusit ligjor të metropolit qarkut të Tiranës. Rama është angazhuar se pas 28 qershorit qeveria e tij do t’i japë qarkut të Tiranës këtë status, duke sqaruar se ky status ligjor do të sjellë shërbime të integruara në të gjithë qarkun, si dhe rritje të punësimit në këtë qark: “Do t’i japim status të ri ligjor qarkut të Tiranës si metropol i Shqipërisë dhe duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjithë zonave të tjera, që nga Dajti e deri në Rrogozhinë e Kavajë, që nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara. Me shërbim ujësjellësish të integruar, me shërbim transporti të integruar, me shërbim arsimi e shëndetësie të integruar. Duke ruajtur autonominë e të gjitha njësive vendore, por duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal”, - tha Rama.
Kryeqyteti
Duke vijuar më tej në fjalën e tij, kryesocialisti dhe kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se banorët e kryeqytetit kanë një arsye më shumë të thjeshtë po bindëse për të votuar më 28 qershor Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Sipas tij, vota për Ramën dhe PS-në mundëson përshpejtimin e transformimeve të mëdha që i janë bërë Tiranës në këto katër vjet. “Banorët dhe banoret e kryeqytetit kanë një arsye të thjeshtë për të votuar më 28 qershor për mua dhe për Partinë Socialiste: që transformimet e bëra në këto vite t’i përshpejtojmë dhe që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç’kemi bërë në 8 vitet e shkuara të marra së bashku në Tiranë. Ndërsa të gjithë të tjerët, që banojnë rreth Tiranës, kanë po ashtu një arsye madhore, e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë që edhe komunat përreth edhe bashkitë e tjera të këtij qarku, deri në Kavajë, të mund të zhvillohen me ritmin e Tiranës. Kjo në mënyrë që të gjithë qytetarët e qytetaret e qarkut tonë të jenë qytetarë e qytetare të metropolit të ri të Shqipërisë dhe të një metropoli të ri në rajonin e Ballkanit. Për kryeqytetin dhe për të gjithë qarkun e Tiranës do të hapet një faqe e re në historinë tonë të përbashkët. Kryeqyteti do të zhvillohet disa herë më shpejt, ndërsa qarku do të zhvillohet disa dhjetëra herë më shpejt”, - tha Rama.
Shëndetësia
Pas takimit në Farkë, kryesocialisti Rama ka zhvilluar një vizitë në Spitalin Pediatrik në Tiranë. Gjatë vizitës në këtë spital Rama është angazhuar për ndryshim radikal në shërbimin shëndetësor në vend pas 28 qershorit. “Ne jemi të bindur se sistemi shëndetësor, i bazuar në sigurime, është i falimentuar, është i korruptuar, është tërësisht i kalbur. Fakti që e gjithë përgjegjësia u transferohet mjekëve dhe janë kthyer mjekët dhe infermierët në shënjestër për të gjuajtur me baltë gjithë ditën e ditës, është shprehja më e degjeneruar e këtij sistemi. Sistemi shëndetësor që do të ngrejë PS-ja pas 28 qershorit do të jetë shërbim shëndetësor universal, që nuk do t’u shërbejë vetëm atyre që paguajnë sigurime, por do t’u shërbejë të gjithëve”, - përfundoi Rama.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›