E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shmang Topin: Po ndërtojmë ura bashkimi

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka shmangur dje komentet për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, teksa inspektoi ecurinë e punimeve në rrugën Levan (Fier) - Tepelenë, investim me vlerë 70 milionë euro. Rruga e re ka një gjatësi prej 71 kilometrash dhe shkurton me 22 kilometra dhe 1 orë distancën e mëparshme nga Fieri në Tepelenë.

Kryeministri Berisha u informua nga zbatuesit e projektit mbi fazat e projektit dhe vëllimin e punimeve, sipas të cilëve, aktualisht ka përfunduar 65 për qind e punimeve.

Pas inspektimit, duke folur për mediat Kryeministri e konsideroi këtë “një rrugë që transformon Shqipërinë nga Tirana deri në skajin e saj më jugor". Për këtë arsye, Berisha edhe njëherë dje ka shmangur qëndrimin e tij ndaj debatit Topi-Topalli duke theksuar se për këto çështje, ai do të flasë në të tjera takime. “Sot jam këtu për këtë kryevepër të punëve publike në Shqipëri, e cila në vëllime punimesh është pothuajse identike me Fierzën. Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund të dal jashtë ndjesive që kam sot për këtë rrugë, ndaj ju lutem që pyetjet që keni për probleme të tjera m’i rezervoni në konferenca të tjera shtypi, sepse sot unë jam tërësisht i vërshuar në brendinë e shpirtit tim, nga Vjosa e bukuritë e luginës së saj”, - tha dje Berisha. Por Kryeministri e bëri komentin e tij teksa u pyet për deklaratën e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Etore Sequi, duke thënë se ai është për gjuhën e bashkimit. “Ne vetëm po ndërtojmë rrugë e ura bashkimi. Ne po ndërtojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, ura e rrugë bashkimi”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›