Rama në Korçë: Të kthejmë në investime të ardhurat e emigrantëve
Edi Rama premtoi dje se do t‘u kthejë kursimet që vijnë nga emigracioni jo në një mjet për të mbajtur frymën, por në investime për ekonominë. Gjatë një vizite në Buçimas dhe Hoçisht të Korçës, kryesocialisti Edi Rama vuri në dukje se kjo nuk mund të ndodhë në rast se ne nuk ndryshojmë kushtet, në të cilat fshati, prodhon dhe kushtet në të cilat prodhimi në fshat zhvillohet. "Duke krijuar kushtet e biznesit agrar, që do t‘i kthejë kursimet që vijnë nga emigracioni, jo thjesht për të mbajtur frymën gjallë, por në kursime që do të vijnë për investime në ekonominë e re të familjes në fshat", tha Rama. Më tej, kreu socialist, vuri në dukje se të gjithë këto që nuk janë premtime, por janë objektiva që PS i ka program duke ndier se janë objektiva të përbashkët përderisa është shkruar së bashku me ta. Pas takimit në Buçimas, Edi Rama dhe drejtuesit e lartë të PS kanë vazhduar të prezantojnë Programin e Ri në një tjetër fshat, në Hoçisht. Rama u shpreh se të gjitha ato ç‘ka programi i socialistëve përmban nuk janë premtime, duke dashur të bëjë diferencën me atë ç‘ka ka ndodhur në 18 vjet, premtime që bëhen thjesht dhe vetëm për të marrë vota, e që nuk realizohen të nesërmen në qeverisje.