Leskaj: Aplikimi për në BE është i vonuar
Partia Socialiste e konsideroi dje të vonuar dhe për qëllime elektorale nga ana e qeverisë aplikimin për vendin kandidat në Bashkimin Evropian. Një ditë pasi Kryeministri Berisha deklaroi se sot do të paraqesë në Pragë kërkesën zyrtare të qeverisë, reagoi selia rozë, duke e konsideruar këtë veprim të vonuar. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, deklaroi se kërkesa është e spostuar me disa muaj, pasi PS e kërkoi atë që në muajin shtator të vitit të kaluar. "Më në fund Sali Berisha ka bërë atë çka ne kemi sugjeruar e kërkuar që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Është vonë po më mirë vonë se kurrë", tha kryetarja e grupit kuvendor, duke shtuar se "në fakt ai bëri nëntë muaj me vonesë, atë që duhet ta kishte bërë më parë pa pritur fushatën elektorale". Sakaq, socialistët shohin si mjaft me rëndësi standardet dhe prova e parë janë zgjedhjet, garantimi i zgjedhje të lira e të ndershme si kushti i parë politik për një demokraci funksionale, si kriter i anëtarësimit në BE. "Qeveria duhet të ofrojë të gjitha garancitë për procesin duke filluar nga dokumenti i identifikimit, kartat e identitetit dhe të gjitha elementet e tjera", deklaroi Leskaj. Edhe pse do jetë një Kryeministër i djathtë, ai që do të çojë kërkesën në Pragë, socialistët premtojnë se janë ata që pas 28 qershorit do të marrin stafetën e integrimit të vendit në BE. "Në emër të PS dua të garantoj se pas fitores së 28 qershorit, qeveria e re e cila ka në themel të programit të saj integrimin e vendit, do marrë të gjitha masat dhe do të ketë angazhimin maksimal në bërjen e vendit tonë anëtar të BE-së, duke plotësuar ëndrrën 18-vjeçare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa", nënvizoi Leskaj.
Dy ditë më parë, Kryeministri mblodhi Këshillin e Ministrave dhe duke konfirmuar hedhjen e një tjetër hapi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mohoi se pas kësaj kërkese fshihen qëllime elektorale. Sot kreu i qeverisë do të jetë prezent në Pragë ku sipas asaj çka deklarojnë burimet diplomatike do të mungojë komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn.
Dy ditë më parë, Kryeministri mblodhi Këshillin e Ministrave dhe duke konfirmuar hedhjen e një tjetër hapi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mohoi se pas kësaj kërkese fshihen qëllime elektorale. Sot kreu i qeverisë do të jetë prezent në Pragë ku sipas asaj çka deklarojnë burimet diplomatike do të mungojë komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn.