E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do të dyfishojmë buxhetin për bujqësinë

Dyfishim të buxhetit për bujqësinë dhe subvencionim nga shteti për fermerët ishin disa nga premtimet e kreut të LSI-së, Ilir Meta, gjatë disa takimeve në Vlorë dhe një vreshtari në Komunën e Kasharit. Gjatë bashkëbisedimeve me banorët e zonës së Komunës Kotë, në Lumin e Vlorës, Meta tha se pjesë e programit qeverisës për bujqësinë është subvencionimi i inputeve bujqësore në masën 25 për qind, për të vazhduar me subvencionimin e prodhimeve përmes parimit "kush prodhon më shumë, të subvencionohet më shumë". Meta u shpreh se qeverisja e re do të nxisë edhe ngritjen e qendrave të prodhimit, si dhe krijimin e industrisë agropërpunuese. Duke vazhduar më tej, Meta tha se bujqësia sot është në krizë, jo vetëm për mospërkrahje nga shteti, por edhe sepse secili prodhon aq sa mundet dhe sipas ideve të tij. Edhe farërat, sipas tij, janë të skaduara dhe nuk mund të ketë prodhim të garantuar. "Në programin tonë për rimëkëmbjen e bujqësisë, synohet që deri në vitin 2010 të dyfishohen investimet për bujqësinë, duke krijuar perspektivë, si dhe duke siguruar projekte afatgjata që do të ndryshojë edhe raportin e importeve dhe eksporteve të produkteve bujqësore, duke synuar rritjen e prodhimit të vendit dhe si rrjedhojë rritjen e eksporteve", premtoi kryetari i LSI-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›