E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shpall emrat,surprizat e qeverisë

 

adi shkembi

Zbardhjen emrat e ministrave që do të votëbesohen në Parlament në mandatin e dytë të Partisë Demokratike. Gjatë 45 minutave Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur mbrëmë kabinetin e ri, për të cilin pranoi sërish se konfigurimi i tij nuk ka qenë aspak i lehtë. “Dua të theksoj se jam përpjekur të bëj përzgjedhjen më të mirë. Por kur e ke të vështirë, ashtu siç e kisha unë, për shkak të personaliteteve të shumta që kanë hyrë këtë vit në Parlament, nuk mund të them se kam arritur të përsosurën. Por jam i bindur se kjo qeveri e integrimit evropian, do të japë kontributin e saj për një Shqipëri evropiane, në përputhje me zotimin tonë. Po të mos isha i rrymës së qeverisë së vogël, unë kam 40-50 deputetë që mund t’i emëroja ministra”, theksoi Berisha.
Qeveria
Marrëveshja me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Republikane bëri që PD t’u japë këtyre dy forcave katër portofole ministrore. Pjesa më e vështirë për kreun e ekzekutivit ka qenë ndarja e posteve brenda radhëve të PD-së. Lulzim Basha, i cili u detyrua të lërë postin e kryediplomatit, si pasojë e marrëveshjes me LSI-në, do të drejtojë në këtë fillim të mandatit të dytë Ministrinë e Brendshme. Sipas kreut të Qeverisë, Basha dhe Ilir Meta në krye të Ministrisë së Jashtme do të punojnë së bashku për procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i Brendshëm në detyrë, Bujar Nishani, do të lërë këtë post pas dy vjet e gjysmë në krye të tij, për të marrë Ministrinë e Drejtësisë. Pikëpyetja e dytë e kreut të Qeverisë për shkak të marrëveshjeve me aleatët ka qenë pozicioni i Genc Rulit, ish-ministër i Ekonomisë. Pas shumë dilemash dhe zërash që e çonin atë nga Ministria e Transporteve tek ajo e Brendshme, vetëm në orët e fundit kreu i maxhorancës ka vendosur t’i besojë deputetit të Gjirokastrës portofolin e Bujqësisë, një prej zërave më të rëndësishëm të buxhetit për vitin e ardhshëm. Ish-këshilltari i Kryeministrit Berisha për çështjet e Arsimit dhe Shkencës, tani deputet i qarkut të Dibrës, Myqerem Tafaj, do të mbajë postin e ministrit të Arsimit. Një lëvizje tjetër nga radhët kabinetit në kryeministri të Berishës, është ajo e Arben Imamit. Pas katër vitesh shef kabineti i kryeministrit, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, pasi mori mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës në 28 qershor, i është besuar të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes, tani e një vendi anëtar të NATO-s. Kreu i grupit të deputetëve demokratë në qarkun e Durrësit dhe sekretari për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike, Ferdinand Xhaferri është vendosur të mbajë postin e ministrit të Kulturës, ndërsa një portofol i është besuar edhe minoritetit. Në pamundësi për të bindur Vangjel Dulen e PBDNJ-së, kreu i ekzekutivit ka vendosur Spiro Kserën në postin e ministrit të Punës. Ndërsa Shëndetësia do të drejtohet nga Petrit Vasili. Vetëm tre janë ministrat që do të mbajnë të njëjtat poste me ato të para 28 qershorit. Ridvan Bode do të jetë në krye të Financave, Sokol Olldashi në krye të Transporteve dhe Majlinda Bregu do të drejtojë Integrimin. Deputetja e Tiranës, do të jetë e vetmja femër në kabinetin qeveritar në këtë fillimmandati si dhe ministrja më jetëgjatë në krye të Integrimit, që nga koha e krijimit të këtij dikasteri. Në të njëjtën godinë do të qëndrojë edhe Genc Pollo, i cili nga zv/kryeministër do të jetë ministër i Shtetit. Në kabinetin qeveritar është rikthyer Fatmir Mediu në krye të Mjedisit, por edhe Ilir Meta si zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm dhe Dritan Prifti që do të drejtojë Ekonominë.
Kush ikën
Në konferencën e tij për shtyp kreu i Qeverisë nuk ka kursyer vlerësimet për ministrat që nuk do të mbajnë më postet e tyre. Kështu Jemin Gjana, pasi ka drejtuar katër vite Ministrinë e Bujqësisë tani do të jetë vetëm deputet i qarkut të Dibrës, ndërsa Lufter Xhuveli do të detyrohet të lërë Ministrinë e Mjedisit dhe duket se do të përqendrohet vetëm në parti për shkak se nuk ka arritur të sigurojë as mandatin e deputetit. Kreu i ekzekutivit nuk ka harruar të falënderojë për bashkëpunimin edhe Gazmend Oketën, i cili drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes, në një moment kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, Enkelejd Alibeajn që ishte në krye të Drejtësisë, por edhe Fatos Bejën, Ardian Turkun dhe përfaqësuesen e Partisë Republikane, Anila Godo.

Genc Pollo, ministër i Shtetit

Pas katër vitesh në drejtimin e Qeverisë, Kryeministri Sali Berisha rikthen postin e ministrit të Shtetit. Në konferencën për shtyp ku prezantoi kabinetin e ri, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se këtë portofol do ta mbajë ish-zv/kryeministri Genc Pollo. “Meqenëse trupëzohet posti i zv/kryeministrit dhe i ministrit të Jashtëm, që është shumë normale, do të funksionojë një ministër Shteti për reformat dhe marrëdhëniet me Parlamentin dhe ky është zoti Genc Pollo”, theksoi kreu i ekzekutivit. Postin e ministrit të Shtetit e krijoi rreth tetë vjet më parë ish kryeministri Fatos Nano dhe në këtë karrige janë ulur, Marko Bello, Ndre Legisi, Musa Ulqini dhe Blendi Klosi.

Qeveria e re

Sali BERISHA        Kryeministër
Ilir META        Zv/kryeministër     dhe Ministër i Jashtëm
Genc POLLO        Ministër Shteti
Majlinda BREGU    Ministër i Integrimit
Sokol OLLDASHI    Ministër i Transporteve
Fatmir MEDIU        Ministër i Mjedisit
Ridvan BODE        Ministër i Financave
Genc RULI        Ministër i Bujqësisë
Bujar NISHANI        Ministër i Drejtësisë
Lulzim BASHA        Ministër i Brendshëm
Myqerem TAFAJ        Ministër i Arsimit
Petrit VASILI        Ministër i Shëndetësisë
Spiro KSERA        Ministër i Punës
Ferdinand XHAFERRI    Ministër i Kulturës
Arben IMAMI        Ministër i Mbrojtjes
Dritan PRIFTI        Ministër i Ekonomisë

Ministrat që konfirmohen
Genc POLLO        (ish zv/kryeministër)
Majlinda BREGU    (Ministre e Integrimit)
Sokol OLLDASHI    (Ministër i Transporteve)
Ridvan BODE        (Ministër i Financave)
Genc RULI        (ish-ministër i Ekonomisë)
Bujar NISHANI        (ish-ministër i Brendshëm)
Lulzim BASHA        (ish-ministër i Jashtëm)

Ministrat e rinj
Ilir META        Zv/kryeministër         dhe Ministër i Jashtëm
Fatmir MEDIU        Ministër i Mjedisit
Myqerem TAFAJ        Ministër i Arsimit
Petrit VASILI        Ministër i Shëndetësisë
Spiro KSERA        Ministër i Punës
Ferdinand XHAFERRI    Ministër i Kulturës
Arben IMAMI        Ministër i Mbrojtjes
Dritan PRIFTI        Ministër i Ekonomisë

Ministrat që largohen
Enkelejd ALIBEAJ     Ish-ministër i Drejtësisë
Jemin GJANA        Ish-ministër i Bujqësisë
Gazmend OKETA    Ish-ministër i Mbrojtjes
Fatos BEJA        Ish-ministër i Arsimit
Viktor GUMI        Ish-ministër i Punës
Ardian TURKU        Ish-ministër i Kulturës
Lufter XHUVELI        Ish-ministër i Mjedisit
Anila GODO        Ish-ministre e Shëndetësisë

Ilir Meta- zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm
Kryeministri Berisha tha në konferencën për shtyp se kreu i LSI është politikan me një karrierë të gjatë në politikë, nga ditët e para të dhjetorit ‘90
deri më sot.

Majlinda Bregu- ministre e Integrimit
Pasi rezulton ministrja më jetëgjatë dhe e vetmja femër në kabinet, ajo është vlerësuar nga Berisha si një avokate e suksesshme e arritjeve të këtij vendi dhe një koordinatore e zonja

Bujar Nishani- ministër i Drejtësisë
Kreu i ekzekutivit vlerësoi ministrin e ri të drejtësisë si një nga politikanët dhe ministrat më efecientë, si dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë gjatë gjithë këtyre viteve.

Ridvan Bode- ministër i Financave
Sipas Berishës, Financat kanë pësuar transformimin më të thellë, nën udhëheqjen që Bode i ka bërë kësaj ministrie, katër vitet që shkuan. Ai tha se Bode do të thellojë reformat në fushën fiskale

Lulzim Basha- ministër i Brendshëm
Ish ministrin e Transporteve, Berisha e ka cilësuar si një nga ministrat më të suksesshëm gjatë kohës që mbante atë post. Sipas kreut të ekzekutivit Basha do të punojë me Metën për heqjen e vizave.

Genc Ruli- ministër i Bujqësisë
Kreu i maxhorancës tha dje se Ruli është një ministër ndër më të suksesshmit në mandatin e parë. Reforma të thella, të realizuara në fushën e ekonomisë kanë pasur një pasqyrim të madh në klimën e biznesit.

Arben Imami- ministër i Mbrojtjes
Ish-themeluesi i Partisë Demokratike ka marrë vlerësimet e kryeministrit, si një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në këto katër vite. Sipas Berishës Imami ka mbështetur reformat e ndërmarra.

Dritan Prifti- ministër i Ekonomisë
Përfaqësuesi i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim u vlerësua nga Berisha si një ndër ekonomistët më të mirë në vend, politikan me integritet të lartë, dhe i graduar në Haward në SHBA.

Sokol Olldashi- ministër i Transporteve
I rikonfirmuar në postin që mban në krye të Ministrisë së Transporteve, sipas Berishës, Olldashi ka bërë një punë intensive në transformimin e infrastrukturës gjatë kësaj periudhe.

Myqerem Tafaj- ministër i Arsimit
Sipas Berishës, Tafaj është njeriu që ka hartuar reformën e sistemit arsimor në Shqipëri dhe që i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 4 viteve në fushën e reformave në arsim

Spiro Ksera- ministër i Punës
Përfaqësuesi i minoritetit, Spiro Ksera vlerësohet nga kryeministri si një nga bashkëpunëtorët e tij më të çmuar. Ksera sipas tij dha një kontribut real, të ndjeshëm në zgjedhjet e 28 qershorit

Ferdinand Xhaferri- ministër i Kulturës
Deputeti i Durrësit është një nga bashkëpunëtorët më të hershëm, sipas kryeministrit Berisha. Ai vlerësohet nga kreu i ekzekutivit si një ndër parlamentarët më aktivë, një organizator shumë i mirë

Fatmir Mediu- ministër i Mjedisit
Kryetari i partisë Republikane rikthehet në qeveri dhe Berisha beson se ai do të drejtojë me kompetencë dhe përkushtim dikasterin e Mjedisit. Mediu vlerësohet si politikan me eksperiencë

Petrit Vasili- ministër i Shëndetësisë
Pasi ka qenë zv/ministër, Petrit Vasili, mori mbrëmë vlerësimet e kreut të maxhorancës si drejtues me eksperiencë, si dhe shprehu besimin për reformat në sektorin që do të drejtojë

Gati ligji për makinat e deputetëve
Kryeministri Sali Berisha tha dje se Qeveria ka gati ligjin për heqjen e makinave të deputetëve. Sipas tij, miratimi i këtij drafti do të shkurtojë të paktën 30 milionë dollarë. “Ne kemi bërë gati ligjin, i cili i jep fund një trashëgimie abuzive publike me veturat. Me këtë ligj ne vendosim njërin prej standardeve më të mira në Evropë. Ligji, jo vetëm kursen së paku 30 milionë dollarë, por vendos një normë morale jashtëzakonisht të rëndësishme tani e tutje”, theksoi Berisha. Sipas tij “zyrtarët do të kenë një bonus të plotë dhe të ndershëm për transportin, por nuk do të kenë vetura personale. Vetura zyrtare do të kenë vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Ky është standardi që vendosim ne. Sot është një gjendje absolutisht jashtë çdo standardi”.

Berisha: Mediu, s’i imponohem PR

BLEDAR HOTI

Përfshirja e Fatmir Mediut në qeverisje për kreun e qeverisë ishte pashmangshme, për shkak se një kërkesë e tillë erdhi nga forumet e Partisë Republikane. Kryeministri Berisha në konferencën e djeshme për shtyp ka argumentuar arsyet e përfshirjes së kreut të PR-së në qeveri, pavarësisht se ndaj tij po bëhet një hetim për çështjen e “Gërdecit”. “Jam shprehur publikisht se nuk do të ndikoj, por do të respektoj vendimet e PR-së. Për zonjën Godo kam pasur dhe kam respektin e palëkundur, dua ta falënderoj shumë për punën e madhe që ka bërë. E vetmja gjë që s’mund të bëja unë ishte që t’i diktoja PR-së emrin e personit që do sillte si propozim në qeveri”, deklaroi kryeministri. Ndërsa për sa i përket hetimeve për çështjen e “Gërdecit”, Berisha shprehet se maxhoranca e tij është e hapur për bashkëpunim me drejtësinë dhe kjo vetëm për kreun e PR-së, por të gjitha ministrat dhe zyrtarët e ekzekutivit që ai drejton. “Lidhur me zotin Mediu, ka pasur një akuzë siç ju jeni në dijeni, fillimisht për korrupsion, nuk thuhej për korrupsion, por thuhej se ka spostuar dhe anashkaluar ushtarakët. Kjo akuzë, në finalizim, ra. Ka një akuzë për shpërdorim detyre. Së pari, unë ju garantoj se kjo qeveri dhe kjo maxhorancë do të zbatojë çdo vendim të drejtësisë. Së dyti, dua të jem shumë i qartë, për qeverinë time dhe maxhorancën time, imuniteti nuk ekziston. E kemi faktuar këtë gjë mandatin e kaluar, por ky standard është i gjithëfuqishëm edhe gjatë këtij mandati. Mendoj se paragjykimi nuk i shërben askujt. Ky është mendimi im. Një akuzë e madhe ra vetë nga ata që e nisën”, tha Berisha.
Çamët
Ndërsa ka shpjeguar edhe arsyen se pse e ka lënë pa ministër PDI-në. “Problemi është i thjeshtë. Asnjë sekret. Koalicioni ka një numër votash. Kush të dojë, të pjesëtojë postet. Jemi shprehur për proporcionalitet dhe është bërë një ndarje shumë e ndershme. Por të jeni të sigurt që PDI do të përfaqësohet qartësisht në qeverisje. Besoj se jeni dakord që nuk janë vetëm ministrat. Ka shumë poste dhe funksione të tjera. Ashtu siç ju deklarova edhe në mbledhjen e grupit tonë parlamentar, unë ju garantoj se secili nga aleatët që ishte në koalicion me forcën time politike. Do të marrë qartësisht më tepër sesa proporcioni. Nuk mund të them ekstremisht më tepër, sepse ajo pastaj prish balancat”, tha Berisha. Ai theksoi se nuk mund të mos linte pa përfshirë përfaqësues nga minoriteti në kabinetin e tij.
Edi Rama
Kryeministri ka reaguar edhe për qëndrimin e opozitës për të mos qenë pjesë e Parlamentit. “Ai e di që gjatë këtyre muajve që vijnë do të merren vendimet dhe mendon se, duke mos qenë në Parlament, ato vendime nuk do merren, për shkak të mungesës së tij dhe, në këtë mënyrë do të bëjë përgjegjëse qeverinë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë”, tha Berisha. Kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve, kryeministri u shpreh se ai kërkon të krijojë një gjykatë supreme. “Është turp ta dëgjojë njeri këtë. Si mund të vendos unë mbi vendimin e Gjykatës. Unë kam bindjen dhe dua atë jem i sinqertë me ju, që një mandat i yni humbi në Fier, por unë nuk mund ta kërkoja atë sepse vendosi gjykata. Kam bindje dhe kam shumë dëshirë që të numërohet kutia e Fierit. Por s’mund ta bëj, ka një vendim të një Kolegji të zgjedhur nga unë dhe z.Rama me konsensus”, theksoi Berisha.

PD i çon letrën Topit, Berisha merr dekretin pas 2 orësh

Pa u mbushur ende 24 orë nga përfundimi i procesit të verifikimit të mandateve në Parlament, dje në mesditë rreth orës 12.30 nga selia e Partisë Demokratike është nisur në drejtim të Presidencës letra që emëron Sali Berishën si Kryeministër të koalicionit të djathtë. “Ne, partitë e koalicionit fitues të zgjedhjeve propozojmë si Kryeministër të Qeverisë zotin Sali Berisha”, thuhet në krye të letrës së hartuar nga sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka dhe që mban firmat e krerëve të partive të koalicionit qeverisës. Rreth orës 13.20 letra e nisur me postë ka mbërritur në selinë e Presidencës dhe kreu i shtetit rreth orës 15.00 ka firmosur dekretin. Menjëherë pas hedhjes së firmës në zyrën e Bamir Topit ka mbërritur kryeministri Sali Berisha, i cili ka tërhequr dekretin. Në orën 19.30 kreu i ekzekutivit doli në konferencë për shtyp për të prezantuar kabinetin e ri, i cili do të dekretohet sot nga Topi. “Ky është kabineti, propozimet që unë nesër do t’i dërgoj Presidentit të Republikës”, u shpreh Berisha. Pas nxjerrjes së dekretit nga ana e kreut të shtetit Parlamenti ka dhjetë ditë kohë për ta votuar atë. Emri i Kryeministrit, përbërja e qeverisë dhe programi i saj për katër vitet e ardhshme do të miratohet përmes një votimi të vetëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›