Protokolli EULEX-Serbi, anulohet takimi Solana-Thaçi
Sherri i krijuar në Prishtinë për Protokollin e EULEX-it me Serbinë ka shenja se ka nisur të “tkurrë” marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian. Ndërsa një ditë më parë presidenca suedeze e Unionit paralajmëroi nënshkrimin e shpejtë të protokollit dhe njoftoi autoritetet e Kosovës se bëjnë mirë që të gjejnë një gjuhë të përbashkët me EULEX-in në të mirë të vendit, dje u njoftua se kryediplomati i BE-së, Havier Solana, nuk do ta zhvillojë një takim të paralajmëruar me kryeministrin Hashim Thaçi, duke e shtyrë atë për më vonë. E ardhmja e afërt e Kosovës në marrëdhëniet me BE-në duket se do të vështirësohet, pasi pas tre muajsh presidencën e Unionit e merr një nga pesë vendet që ka kundërshtuar fort pavarësinë e Kosovës si të paligjshme, Spanja. Protokolli është bërë tema kryesore e diskutimeve edhe në hapjen e sezonit të ri të Parlamentit në Prishtinë. Kryetari Jakup Krasniqi fajësoi për krijimin e kësaj gjendje vetë institucionet e Kosovës, Qeverinë dhe Presidencën, por edhe EULEX-in. “Konsideroj se nuk është menaxhuar mirë kjo çështje nga të dyja palët”, tha Krasniqi. Për kryeministrin Thaçi çështja e protokollit mbetet e mbyllur. Thaçi ka deklaruar se, “institucionet vendore janë të angazhuara fuqishëm në thellimin e bashkëpunimit me ICO-në, EULEX-in dhe SHBA-të në rrugën drejt integrimit të saj në BE dhe struktura tjera ndërkombëtare”, duke evituar të shprehet më shumë rreth protokollit. Analistët ndërkombëtarë shprehen se Kosova nuk mund ta ndalojë nënshkrimin e Protokollit. Dhe në fakt nënshkrimi i këtij dokumenti pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme. Ekspertja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, joshi bashkëpunimin duke u shprehur se në “këmbim” të protokolleve, Kosova të fitojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. “Protokollet apo aranzhimet teknike me Serbinë janë të nevojshme, por në këmbim të tyre Kosova do të duhej të fitonte udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, tha në intervistën e Radio Kosovës. Sidoqoftë zv/kryeministri Hajredin Kuçi paralajmëroi se në rast të nënshkrimit të protokollit, nuk duhen bërë veprime që dëmtojnë imazhin e Kosovës, duke ftuar të gjithë qytetarët dhe lëvizjen “Vetëvendosja”. “Kosova po përparon prandaj raporti i fizibilitetit me BE-në do të jetë pozitiv”, theksoi Kuçi.
Ballkani, përparësitë
Spanja, e cila merr presidencën e Bashkimit Evropian në fillim të vitit 2010, ka deklaruar se Ballkani do të jetë prioritet i politikës së saj. Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos, tha se mosmarrëveshjet rreth pavarësisë së Kosovës vazhdojnë në mesin e vendeve anëtare të BE-së, pasi është e drejta e tyre të zgjedhin nëse do ta njohin apo jo Kosovën. Moratinos tha se një situatë e tillë nuk paraqet problem. “Ne i respektojmë këndvështrimet e ndryshme. Të gjithë duam të nxisim paqen dhe stabilitetin, duke çuar përpara një të ardhme evropiane për vendet e Ballkanit”, tha Moratinos në Vjenë, ku paraqiti planet e Spanjës për presidencën evropiane.