E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e Lakrori nisin garën për kreun e PS,Blushi në bazë kundër bojkotit të Kuvendit

 

Elbasan/Aldo Kozarja

Edi Rama dhe Maqo Lakrori bënë dje përballjen e parë publike. Dy rivalët për kryetarin e PS-së nisën turin e tyre nga Elbasani, që do të vazhdojë në të gjithë qarqet e vendit, për të bërë prezente platformën e tyre të ndryshimit të PS-së. Takimi u zhvillua dje pasdite në teatrin “Skampa” të këtij qyteti, ndërsa ishte i hapur për të gjithë publikun. Para nisjes së takimit, kreu socialist nuk ka dashur praninë e kamerave, dhe ka kërkuar që vetëm një kamera të filmonte e më pas të shpërndahej dhe në televizionet e tjera. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga kandidati tjetër e më pas kamerat janë lejuar të filmojnë të gjithë bashkëbisedimin mes dy kandidatëve. Të pranishëm në sallë ishin përveç kryetarit të bashkisë Qazim Sejdini dhe kryetares së PS dega Elbasan, Luljeta Arapi dhe deputetët socialistë të këtij qarku. Ndryshe nga Maqo Lakrori, Edi Rama nuk ka paraqitur platformë konkurruese, por është përqendruar në fjalën e tij në domosdoshmërinë e denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve dhe përcaktimin e tyre me legjitimitet të cunguar. Në përmbajtje fjala e Ramës ishte ajo që ai ka artikuluar në të gjitha deklaratat mediatike që prej kongresit ët jashtëzakonshëm të 29 gushtit. “Për fatin e keq dhe jo thjesht tonit, por të shoqërisë sonë dhe të vendit tonë, procesi i iniciuar prej nesh, ku ne kontribuuam me vetëdije dhe me atdhetari, u transformuam në kurorëzimin e vet në një maskaradë zgjedhore, në një krim të mirëfilltë elektoral, i cili solli një rezultat që për ne është i papranueshëm, nga i cili lindi dje një Kuvend që nuk e ka legjitimitetin e plotë për të pasur një proces të plotë legjislativ. Pushteti nuk mund të jetë një makinë elektorale e një grushti njerëzish në pushtet, por duhet të jetë i të gjithëve”, u shpreh dje Rama në fjalën e tij. Sipas tij, socialistët refuzojnë ta pranojmë këtë Parlament si kuvendi legjitim i të gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar dhe e konsiderojmë këtë Parlament se nuk e ka legjitimitetin për të diktuar punët e vendit me forcën e kartonëve. Duke iu përgjigjur pyetjeve të së pranishmëve në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, Rama u shpreh se “zgjedhjet e parakohshme janë një synim i patjetërsueshëm për shkakun e thjeshtë se ky Parlament nuk ka legjitimitetin e plotë për të qëndruar për një periudhë kohe normale dhe njëkohësisht për hir të së vërtetës së thjeshtë se zgjedhjet, të cilat u zhvilluan në 28 qershor nuk ishin zgjedhje të standardeve demokratike dhe evropiane”, tha Rama. Qytetarët i kanë kërkuar kryetarit në detyrë ruajtjen e votës që ata hedhin për PS-në. Sipas Edi Ramës, “sot më shumë se kurrë se mbrojtja e votës nesër fillon nga rezistenca për votën e grabitur dje në 28 qershor, në rast se ne nuk rezistojmë për votën që na u grabit dje dhe nëse nuk rezistojmë për t’i dhënë fund një farse që është kthyer në një traditë dhe që arriti një kulm në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk ka pikë dyshimi që ne në zgjedhjet e ardhshme do të jemi peng i këtij mekanizimi të papranueshëm në demokraci”.

Edi Rama, debat me Lakrorin

Debati i djeshëm mes dy kandidatëve për kreun e PS-së, Edi Rama dhe Maqo Lakrori është i pari që zhvillohet ndonjëherë në historinë politike të partive, por dhe mes partive në garat elektorale. Rama u kritikua shumë nga anëtarë të kryesisë, por dhe analistë për mungesën e vullnetit të tij për të bërë gjatë fushatës elektorale një debat me Sali Berishën, i cili ishte treguar i gatshëm për ta pranuar një sfidë të tillë. Por ky është dhe një ballafaqim i parë i këtij lloji në PS. Kujtojmë se në 2007 kur Rama u zgjodh nga anëtarësia, kandidati tjetër, Shkëlqim Meta u injorua krejtësisht prej tij.

Lakrori: Ja si do e bëj PS-në fituese
Kandidati për kreun e PS-së, Maqo Lakrori paraqiti platformën tij konkurruese me të cilën kërkon të ndryshojë PS-në dhe ta kthejë atë në parti fituese. “Unë në platformën time parashtroj ringritjen e Partisë Socialiste në tre vlerat e saj bazë: demokracinë e brendshme, solidaritetin dhe integritetin. Nisur nga këta tre faktorë, ne kemi mundur të përballojmë sfida të mëdha, ku mund të rikujtoj fitoren e zgjedhjeve vendore në vitin 1992, fitoren në rrëzimin e kushtetutës në vitin 1994, t‘ju kujtoj që në vitin 1997 ringritëm shtetin e rrëzuar nga piramidat. Të gjitha këto beteja janë zhvilluar me një frymë solidariteti”, tha Lakrori. Por sipas tij, situata në PS ndryshon shumë nga ajo e viteve të opozitës së parë. “Në vitin ‘91 ne socialistët dhe gjithë simpatizantët e partisë sonë nga pikëpamja ekonomike ishim të gjithë të barabartë. Sot në 2009 struktura e shoqërisë sonë ka ndryshuar. Ky ndryshim i madh ka bërë që një kategori e caktuar në udhë e sipër, duke ia ndjerë interesin pushtetit, është kapur pas pushtetit, duke abuzuar në emër të socialistëve dhe kjo quhet kapje e partisë për të kapur pushtetin”, tha Lakrori. Duke iu përgjigjur të njëjtës pyetje që iu bë dhe Ramës për zgjedhjet e parakohshme, Lakrori tha se “në platformën time unë them se mund të shkojmë të sigurtë drejt zgjedhjeve të parakohshme, të shkojmë jo me dhunë, por në rrugë institucionale për t’i fituar ndershmërisht ato zgjedhje që na sjellin në pushtet”. Kandidati për kreun e PS-së tha se zgjedhjet e 28 qershorit kishin legjitimitet të cenuar.

Blushi nis lëvizjen në bazën e PS

Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, tha dje se grupi i deputetëve që janë kundër bojkotit do të zhvillojnë një tur takimesh me bazën socialiste, për të sqaruar pozicionin e tyre dhe domosdoshmërinë e hyrjes në parlament por dhe paketën me ndryshimet statutore. Zoti Rama ka zhvilluar mbledhjen e qarqeve, ku munguat ju dhe Harasani, apo edhe Islami. Nuk kishit njoftim apo nuk shkuat?
Unë nuk do të merrem me detaje, sigurisht gjithë procesi politik brenda Partisë Socialiste është i deformuar, është me shkelje të rënda procedurale dhe në kundërshtim me frymën e kolegjialitetit brenda forumeve. Kjo është një arsye më shumë që na jep të drejtë të flasim dhe të shprehemi kundër bojkotit, si një lëvizje politike e paqartë, e pastrukturuar, pa objektiva të përcaktuara, kundër bojkotit si një proces, në fund të të cilit Partia Socialiste do të jetë më e dobët se sa ka dalë nga zgjedhjet.
Do të vazhdojmë të jemi kundër bojkotit, duke u konsultuar padyshim me të gjithë ata që kanë të njëjtën pikëpamje me ne. Besoj dhe shpresoj që do të rritet mbështetja për të gjithë ata që kërkojnë që PS të hyj në Parlament, që Partia Socialiste të kthehet aty ka vendin, të zërë vendin e vet në parlament, pasi çdo pozicion tjetër i papërcaktuar në kohë dhe objektiva, shkon vetëm në favor të qeverisë. Sot jam më i bindur se kurrë se nëse PS nuk është në Kuvend, qeveria është çdo ditë më e fortë. I japim mundësinë qeverisë që të miratojë ligjet që do apo deformime të caktuara në sistem, në legjislacion, duke mos qenë në Parlament. Shqipëria dhe shqiptarët që kanë votuar më 28 qershor presin që opozita të jetë në fushën e betejës dhe nuk ka fushë beteje jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Të nxjerrësh opozitën jashtë Parlamentit është njësoj si të çosh një luftëtar pa shpatë në betejë. Kjo po ndodh sot me Partinë Socialiste, Edi Rama po i heq mundësinë për të qenë në betejë, që i dërgon luftëtarët e vet pa armë në fushën e betejës.
Zoti Rama ka lënë një opsion tjetër, që është nisja e protestave pas testimit që do të bëhet në fakt me bazën. Si e gjykoni?
Unë besoj që protestat dhe parlamenti nuk janë dy gjëra që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Mund të jesh në parlament dhe njëkohësisht mund të bësh protesta për arsye, për ide të caktuara, për të përfaqësuar ata shqiptarë që mendojnë se ka ardhur koha për të protestuar. Arsyeja për protesta opozita ka gjithmonë, por kjo s’do të thotë që të dalësh jashtë parlamentit. Të dyja bashkë janë pjesë të një aksioni politik, dinjitoz, të cilën opozita nuk mund ta neglizhojë.
Mendoni që zoti Rama, përveç bojkotit të Parlamentit, kërkon bojkot edhe ndaj zërave ndryshe siç jeni ju apo zoti Harasani?
Sigurisht që ka një klimë jo të mirë brenda Partisë Socialiste, një klimë e cila rrezikon ta çojë një pjesë të udhëheqjes së Partisë Socialiste në vendime naive, apo hakmarrëse. Natyrisht që unë jam i qetë dhe pres që të qetësohen brenda Partisë Socialiste, të gjithë ata që mendojnë që sot nuk është dita për të luftuar Sali Berishën, por është dita për të luftuar ata që mendojnë ndryshe brenda partisë. Këtu ndahemi. Unë jam votuar, të gjithë ne jemi votuar për të shkuar në Parlament dhe për të vazhduar betejën tonë si opozitarë dhe nuk jam votuar për të bërë një betejë të paskrupullt brenda Partisë Socialiste. Nëse dikush ka hequr dorë nga beteja me Sali Berishën për të zgjedhur disa armiq brenda Partisë Socialiste, kjo nuk e çon asgjëkundi, përkundrazi dobëson ata vetë dhe vetë Partinë Socialiste.
Është e vërtetë që do të keni takim me mbështetës të Partisë Socialiste?
Është e vërtetë. Ne jemi përcaktuar, për momentin që flasim, kundër bojkotit. Kundër bojkotit si një iniciativë e papjekur politike, si një iniciativë me mbështetje personale dhe me interesa personale, të cilat nuk i shërbejnë forcimit të opozitës. Sigurisht kemi lënë proces për shkak të deformimeve të Kongresit të fundit dhe nevojën për t’u konsultuar me anëtarësinë e Partisë Socialiste për disa ndryshime në statut. Pra, për një reformë brenda Partisë Socialiste. Ka shumë arsye për t’u konsultuar me socialistë, të cilët mendojnë si ne. Kjo gjë do të provohet në proces, pasi jam i bindur se numri i atyre që mendojnë se nuk ka arsye që Partia Socialiste të dalë nga Parlamenti dhe ka shumë më shumë arsye që Partia Socialiste të reformohet dhe të ndryshojë për të ardhur në pushtet, do të shtohet.
Zoti Blushi, nuk është kjo në fakt një anti-fushatë ndaj fushatës që Rama do të nisë sot për kreun e Partisë Socialiste?
Absolutisht, Edi Rama shkon si kandidat në bazën e Partisë Socialiste, si një kandidat pa platformë. Ndërsa ne kemi një platformë e cila synon të reformojë Partinë Socialiste, të bashkojë të majtën dhe të fusë opozitën në institucione. Pra, ne po konsultojmë një platformë, Edi Rama konsulton një ambicie. Ai konsulton një ambicie, ambicien e vet për të mbajtur me çdo kusht kreun e Partisë Socialiste. Ne do të vazhdojmë të konsultojmë idetë tona dhe sigurisht që lufta e njeriut me idenë është gjithmonë në favor të idesë. Ideja fiton mbi njeriun, kjo është e lashtë sa bota dhe ka për të ndodhur edhe këtë radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›