Shqipërisë i duhet 1 pikë për Euro 2012
Danimarka është një ndeshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kuqezinjve u duhet një pikë për të siguruar vazon e katërt. Aktualisht jemi në balotazh me Maqedoninë dhe Uellsin për dy vendet e fundit të vazos së katërt, por do të na mjaftonte një rezultat pozitiv ndaj Danimarkës, për të siguruar këtë vazo, e cila do të na jepte mundësi që në shortin e Evropianit Euro 2012 të mund të jemi në vazon e katërt dhe të kemi mundësi që në grup të gjendemi teorikisht me dy skuadra më të dobëta se ne. Drejtuesit e FSHF-së kanë bërë llogaritë dhe për këtë arsye kanë mbledhur dje paradite gjithë skuadrën, duke i shpjeguar situatën, por duke bërë njëkohësisht të qartë edhe objektivin e kësaj ndeshjeje. Presidenti Duka, bashkë me stafin drejtues janë takuar dje dhe u kanë shpërndarë të gjithëve në letër koeficientet e Shqipërisë në renditjen e UEFA-s, si dhe rrezikun që na kanoset nëse nuk marrim asnjë pikë në dy sfidat e radhës. Duka dhe Kuzhe u kanë kërkuar lojtarëve që të japin gjithçka në fushë për të arritur qoftë edhe një barazim, sepse kështu do mund të linin pas Maqedoninë, e cila momentalisht ndodhet një vend më lart në renditjen evropiane, por me një diferencë shumë të vogël për sa i përket koeficientit. J.H.