E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe “tremb’ Danimarkën,luan me Salihin e Bogdanin

 

Leonard Karaj

Një Shqipëri e tëra në sulm. Kuzhe kërkon pikë me Danimarkën ndaj sot në mbrëmje në “Qemal Stafa” do ta nisë në 20.30 që nga minuta e parë me Salihin dhe Bogdanin në sulm.
Në konferencën e djeshme për shtyp, kroati ka bërë publike edhe skemën me të cilën do të luajë ndaj danezëve. “Takimi kundër Danimarkës është i veçantë për futbollistët dhe tifozët. Skuadra është përgatitur seriozisht dhe është e motivuar për të marrë një rezultat pozitiv. Sigurisht, Danimarka është skuadra më e fortë e grupit dhe vjen këtu për të fituar, por ne do të bëjmë lojën tonë”, tha Kuzhe. Numri 1 i pankinës kuqezi synon vazhdimin e serialit pozitiv të realizuar me Portugalinë, Gjeorgjinë e Qipron, pavarësisht se me portugezët humbi 2-1 në minutën e fundit, por pas një paraqitje vërtet dinjitoze. “Sigurisht që ne do të luajmë me dy sulmues. Megjithatë mua do më pëlqente më shumë një lojë, ku mesfushorët të jenë shumë aktivë, sidomos ata që dinë të mbajnë topin dhe krijojnë raste. Rezultati ndaj Danimarkës nuk ka asnjë rëndësi përsa i përket Shqipërisë në këtë fushatë eliminatore, por ai ka rëndësi për të ardhmen. Siç e kam thënë edhe më parë, ne kemi objektivat tona për të krijuar një skuadër me karakter sulmues. Për këtë arsye them se do të bëjmë një lojë të mirë e të marrim një rezultat pozitiv. Ky takim do të na ndihmojë për të ardhmen. Këtë ua kam ngulitur në mendje edhe futbollistëve”, theksoi Kuzhe. Më tej kroati ka pohuar se nuk është trajneri i tipit mbrojtës, ndaj edhe do një skuadër të adresuar më së shumti drejt sulmit. “Kërkesa ime është të luajmë futboll dhe jo të mbyllemi në portën tonë. Përballë Danimarkës, ne jo vetëm do të mbrohemi, por do të mundohemi të luajmë futboll dhe të shënojmë, pasi vetëm duke shënuar mund të arrijmë rezultatet që synojmë. Një ekip sulmues është një nga pikat e projektit tim. Salihi dhe Bogdani po kalojnë një formë shumë të mirë për momentin dhe shpresojmë që me këta të dy ne të arrijmë te goli”, përfundoi Kuzhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›