E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca dhe Portugalia rrezikojnë botërorin

 

Grupi 1 - Danimarka, kampione e dikurshme e Evropës, mund të kualifikohet direkt nëse fiton me Shqipërinë në Tiranë. Portugalia (10 pikë) do të luajë kundër Hungarisë në Budapest dhe është nën presion të jashtëzakonshëm, pasi i duhet vetëm fitorja për t’u mbetur në lojë.

Grupi 2 - Zvicra e vendit të parë do të përballet në transfertën e vështirë me Letoninë, me të cilën e ndan vetëm tri pikë. Greqia nga ana e saj luan në transfertë kundër Moldavisë së vendit të fundit, çka duket një mision më i lehtë për ish-Kampionët e Evropës. Nuk priten surpriza në këtë grup. 

Grupi 3 - Irlanda e Veriut dhe Sllovakia përballen sonte në Belfast për t’i dhënë fund dilemës se kush të do të kualifikohet direkt për në Botëror. Sllovakët vijnë me avantazhin e dy pikëve dhe në rolin e kryesuesit.

Grupi 4 - Gjermania ende nuk e ka siguruar botërorin por do ta ketë të lehtë të marrë tri pikë ndaj modestëve nga Azerbajxhani. Rusia e vendit të dytë luan në transfertë kundër Uellsit të vendit të katërt. Rusëve u duhet me patjetër fitorja.

Grupi 5 - Spanja në grupin 5 thuajse është me një këmbë në finale. Përplasja e madhe për vendin e dytë është ajo midis Bosnjës e Turqisë, dy ekipet do të përballen me njëra-tjetrën në Sarajevë. Boshnjakëve u mjafton edhe një barazim.

Grupi 6 - Anglia e Fabio Kapelos është një hap larg Afrikës së Jugut. Ajo do përballet me Kroacinë, dhe suksesi ndaj skuadrës së vendit të dytë, mbyll dhe llogaritë në këtë grup. Ndërsa Kroacisë i duhet fitorja pasi është me pikë të barabarta me Ukrainën.

Grupi 7 - Mbrëmja e sotme ofron përplasjen e madhe Serbi-Francë, ku francezët në Beograd kanë si objektiv vetëm fitoren për të shpresuar për kualifikim direkt. Në ndeshjen e parë Franca fitoi 2-1 me Serbinë.

Grupi 8 - Italisë i duhet fitorja ndaj Bullgarisë për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme në 10 tetor ndaj Irlandës së Xhiovani Trapatonit. Axurrët kanë një pikë më shumë se irlandezët të cilët nuk luajnë sot.

Grupi 9 - Holanda është lideri i padiskutueshëm i këtij grupi: 7 ndeshje, 7 fitore, 21 pikë, 11 më shumë se Skocia e vendit të dytë, ndaj së cilës do të përballet sot në transfertë. Holanda e ka prerë tashmë biletën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›