E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shpall fitoren e PD

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha shpall fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse kishte premtuar se këtë do ta bënte vetëm pasi KQZ-ja të nxirrte rezultatet zyrtare, kreu i qeverisë u paraqit mbrëmë para mediave për të falënderuar qytetarët që e votuan, por edhe ata që morën pjesë në votime. “Jam sot këtu, para jush, për të shprehur mirënjohjen më të thellë, nderimin dhe respektin më të madh, ndaj të gjitha anëtarëve, mbështetësve, votuesve të koalicionit të Aleancës për Ndryshim, për votën dhe besimin e tyre ndaj alternativës apo projektit të Shqipërisë Evropiane”, u shpreh kreu i qeverisë gjatë daljes për mediat. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se ndihej krenar për faktin se u zhvillua një proces zgjedhor shumë i mirë. “Unë jam shumë krenar me këtë proces zgjedhor dhe mesazhet nga e gjithë bota kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Nuk duhet të harroni zhurmën e tmerrshme që u bë për letërnjoftimet dhe pasaportat, për të cilën populli thotë “u mbars mali dhe polli një mi”. Shqiptarët votuan më dinjitozë se kurrë me letërnjoftimet e reja. 1 milionë e 400 mijë shqiptarë i morën ato”, vijoi më tej Berisha. Por i pyetur nëse shpallja e fitores në një moment kur Kolegji Zgjedhor pritet të nisë shqyrtimin e të gjitha ankimimeve, kreu i qeverisë tha se “unë i ftoj ata të gjykojnë në liri të plotë, në ndërgjegje të plotë. Kurrë ndonjëherë, në historinë e zgjedhjeve, udhëheqësit politik nuk shtyjnë më tej prononcimin, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjykatat janë një trupë krejtësisht e pavarur. Unë mendova se do më bënit ndonjë pyetje tjetër, pasi kjo çështje është evidente. Asnjë ndërhyrje nuk ka”.
Qeveria
Kryeministri Berisha tha dje se nëse ai do të humbiste zgjedhjet e 28 qershorit, do të largohej nga politika, por do t’i kërkonte PS-së të bashkëpunonin në koalicion me një kryeministër socialist. “Unë e kam deklaruar; edhe sikur koalicioni im dhe PD të ishte i dyti, unë do të kisha vetëm një rrugë; vendimin tim të dorëheqjes dhe insistimin tim të krijimit të koalicionit me një kryeministër socialist. Ky vend ka një maturitet demokratik shumë më të madh nga sa e mendojnë analistët militantë, që janë pseudo analistë, të cilët në fakt duhet të jenë promotorët e vlerësimit të këtij maturiteti, protagonistë të vlerësimit të këtij maturiteti”, tha Berisha. Por sipas tij “për fat të keq, disave prej tyre, u sëmuret mendja me një fanatizëm të atillë, sa që bëjnë çdo gjë tjetër, veç analizës. Por edhe këtë gjë unë e marr si një proces. Mua nuk ma lëkund asgjë respektin ndaj diversitetit shqiptar”. Duke komentuar sistemin zgjedhor, kreu i ekzekutivit tha se ajo ishte një zgjedhje e PS-së, ndërkohë që sipas tij nëse zgjedhjet do të bëheshin me një maxhoritar të pastër, koalicioni i djathtë do të kishte të paktën 10 deputetë më shumë. Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, kreu i koalicionit të djathtë theksoi se vendimi i Bashkimit Evropian për heqjen e tyre do të merret brenda një viti. Për sa i përket moratoriumit për skafet, Berisha la të kuptohet se ai nuk do të abrogohet, të paktën edhe për një periudhë të shkurtër. “Moratoriumi është në fuqi, deri sa Parlamenti nuk e ka anuluar atë. Kjo nuk ka asnjë ekuivok. Ne nuk do të punojmë kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve, për shkak të lëvizjes së 20 apo 30 skafeve. Jo!”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›