Seseri: Rama nuk duhet të ikë, të çojë deri në fund projektin e tij
arstir lumezi
Kandidatja për deputete socialiste, Rudina Seseri, në një intervistë ekskluzive për “Panorama” ndërhyn në debatin e hapur për dorëheqjen e Edi Ramës nga kreu i PS-së. Ajo shprehet se Rama duhet të qëndrojë në drejtimin e partisë, për të çuar deri në fund projektin e tij. Seseri shprehet se zgjedhjet e 28 qershorit nuk i plotësuan standartet e premtuara.
Çfarë përshtypjesh keni nga përvoja juaj e parë e në jetën politike shqiptare duke kandiduar për deputete në Kuvend?
Fushata zgjedhore që zhvillova në Krujë ishte një përvojë e jashtëzakonshme për mua, vecanërisht në dy aspekte. Aspekti i parë është entuziazmi. Unë kam lidhje të veçanta me Krujën dhe fushata më ndihmoi ti forcoj më tej këto lidhje, të njoh nga afër një qytet e një rreth të lënë pas dore në fat të mjerë, të dalloj nevojat më urgjente të tij, të mendoj se nga duhet filluar ndryshimi dhe cfarë duhet të bëjë shteti për këtë rajon të Shqipërisë. Njerëzit më kuptonin dhe më inkurajonin gjithë shpresë në këtë nismë që kisha ndërmarrë. Unë jam e angazhuar ta zhvilloj më tej këtë plan dhe të luftoj që të merren vendime të mencura për transformimin e Krujës.
Aspekti i dytë është zhgënjimi. Zhgënjimi që në vendin tim anëtar të NATO-s dhe pretendues për hyrje në Bashkimin Europian bëhet presion i hapur për votat, blihen votat, që në disa zona njerëzit votojnë familiarisht apo edhe më keq - fshatcë, që një kandidate grua shahet e kërcënohet pa pikën e ndrojes nga burrat e partisë kundërshtare, që komisionerët arbitra të zgjedhjeve janë përfaqesues e tifozë të partive, që numëruesit e votave nuk dinë të numërojnë ose kanë frikë të numërojnë me vërtetësi. Zhgënjimi, që këto shkelje nuk i bëjnë përshtypje askujt, asnjë partië politike, asnjë analisti në media, as edhe vetë kandidatëve, ndërkohë që të gjithë flasin për parime si të ishin zgjedhjet në Francë apo në SHBA. Më duket se shumë nga këta njerëz ose nuk e njohin këtë realitet ose shtyhen nga interesa personale për ti mbyllur sytë përpara këtij realiteti.
Tani që zgjedhjet mbaruan, a mendoni se Shqipëria doli e fituar nga këto zgjedhje?
Shqipëria përballet sot me një cështje themelore të demokracisë: standartin e zgjedhjeve. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë, e cila lidhet me dy ose tre kuti të panumuruara, keqnumuruara apo të manipuluara. Kjo cështje ka të bëjë me themelet e demokracisë dhe përfaqëson një udhëkryq nga i cili varet e ardhmja e vendit, pra e ardhmja e secilit prej nesh. Deri dje, të gjithë luanin dhe fshiheshin pas vlerësimeve të tilla si “zgjedhje të qeta”, “një hap përpara” etj. Tani, për një vend anëtar të NATO-s, vlerësime të tilla nuk mbartin më asnjë kuptim. Më 28 qershor ose u zhvilluan zgjedhje demokratike ose jo. Dhe që të gjithë të marrin përgjigjen e duhur, vendas e ndërkombëtarë, duhet përmbushur A-ja e demokracisë: të lexohet vullneti i zgjedhësve duke rinumëruar votat, duke shpallur publikisht listat e atyre që kanë votuar, pra duke bërë një transparencë të plotë. Përndryshe demokracia merr një goditje shkatërruese. Vendi mbetet pre e një klani të vetëm dhe e interesave ekonomike të tij. Shpresa për të ndryshuar Shqipërinë humbet vërtetë. Dhe, aspirata e qytetarëve shqiptarë për anëtarësim në BE kthehet në një ëndërr të vdekur, thuajse të paarritshme. Ndërkohë partnerët ndërkombëtarë do të mjaftohen me faktin që ne nuk po turbullojmë Ballkanin, duke e rivënë stabilitetin para demokracisë dhe zhvillimit të mirëfilltë të Shqipërisë.
Ju erdhët për të kontribuar, u zgjodhët deputetë dhe tani jeni përpara një vendimi që duhet të merrni. Do ta vazhdoni punën tuaj këtu apo do t’i riktheheni biznesit që keni në SHBA?
Unë jam votuar nga zgjedhësit e Krujës dhe të Qarkut të Durrësit dhe jam në borxh me besimin që ata më kanë dhënë. Njerëz që më përkrahen po shihen shtrembër, po hiqen nga puna, po kërcënohen. Kjo është demokracia që pretendohet se është ndërtuar për dy dekada në Shqipëri?! Dhe këta njerëz janë vërtetë pa zë sepse në shkëmbim të ngritjes së zërit për padrejtësitë që po ju bëhen, ata duhet të paguajnë çmimin e heqjes nga puna, një kosto reale diskriminimi politik. Atëherë, pyetja mbetet se ku është zëri i gjithë të tjerëve? Asnjë debat nuk bëhet në media, në publik, madje edhe midis përfaqësuesve ndërkombëtarë për këtë lloj demokracie të stilit alla shqiptar. Për t’ju rikthyer pyetjes suaj, unë erdha të kontriboj për projektin e Edi Ramës. Prandaj vendimi im është qartazi i lidhur me këtë projekt dhe drejtuesin e saj sepse ky projekt nuk është aspak i dështuar. Ndonëse jam në SHBA këtë periudhë, marr çdo ditë dhjetëra mesazhe me të njëjtën përmbajtje: Projektin mos e lini në mes. Është besimi im që thënie dhe deklarata të kundërta burojnë nga njerëz që nuk e kanë njohur si duhet programin e Partisë Socialiste, ose nuk e kanë kuptuar atë.
Ju u angazhuat në politikë me Partinë Socialiste. Cili është opinioni juaj tani për këtë parti?
Nuk mendoj që përbën surprizë fakti që unë nuk kam qenë e angazhuar me parti politike në të shkuarën. Përkundrazi, deri para pak kohësh kam qenë e përqendruar tek kariera ime në sektorin privat dhe kontributi ndaj shoqërisë shqiptare nëpërmjet diasporës. Siç e kam thënë vazhdimisht, angazhimi im me Partinë Socialiste lidhet drejpërsëdrejti me projektin ambicioz të Ramës. Dhe e vërteta është se unë u afrova tek Partia Socialiste me një sens ndrojtje nga e panjohura e politikave të brendshme të saj dhe me një thes me paragjykime. Por, brenda Partisë Socialiste gjeta dicka të ndryshme. Një armatë njerëzish të përkushtuar, një parti dinamike e moderne, ku flitet hapur e dëgjohesh pavarësisht në se je një kontribues prej vitesh apo një i porsaardhur. Një parti ku njerëz si Gramozi, Vali, Beni, Blendi, Arta, Erjoni, etj. që janë themelet e kësaj partie, nuk ngurojnë të të ndihmojnë për gjithcka. Këshillat e Gramozit që la fushatën dhe erdhi të më takoje më kanë bërë përshtypje të jashtëzakonshme. Përkushtimin e Blendi Klosit nuk e harroj kurrë. Mua më rezulton se Partia Socialiste nuk është një parti që i përket një njeriu, si të ishte prona e tij private, dhe që drejtohet me një grusht të hekurt e pa të drejtë fjale. Ajo është një parti e hapur ku jo vetëm vlerësohet, por madje inkurajohet debati i hapur dhe mendimet ndryshe. Për më tepër, Partia Socialiste e drejtuar nga Rama nuk i përket llojit të partive që drejtohen nga udhëheqës të papërgjegjshëm që mashtrojnë publikut. Ajo është një parti e përgjegjshme ndaj anëtarëve dhe elektoratit të saj dhe ndaj vendit.
Tani po diskutohet shumë për dorëheqje të Ramës. Ju çfarë mendoni, a duhet që kryetari juaj të japë dorëheqjen?
Unë nuk mendoj se kjo është një çështje thelbësore në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar. Është fati i këtij procesi determinuesi kryesor i të ardhmes së Shqipërisë dhe duhet të jetë ky proces në qendër të debatit dhe jo zhvillimet brenda Partisë Socialiste. PS-ja është një parti e organizuar mirë, e cila, më mirë se çdo parti tjetër në Shqipëri, i ka krijuar të gjitha instrumentet e mandatimit të drejtuesve të saj, bazuar në vullnetin e lirë të ccdo anëtari të saj.
Në qoftë se dëshironi të dini mendimin tim personal, unë besoj si shumica e njerëzve që më kanë kontaktuar: Rama duhet ta cojë deri në fund projektin e tij. Në se Rama largohet, ai lë në baltë jo vetëm PS-në, por edhe të gjithë ata shqiptarë që duan shpresë dhe mbrojtje. Në se Rama largohet, ai vret shpresën. Vendimi i takon anëtarësisë së Partisë Socialiste, jo disa individëve të caktuar dhe aq më pak njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me PS-në. Në këndvështrimin tim, klane të caktuara janë të interesuara tashmë jo thjesht për të marrë apo kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe median, por për të shtrirë dorën edhe nga partitë politike opozitare, ku PS-ja është partia kryesore. Pasi futën brenda vathës Partinë Agrare Ambientaliste dhe tani së fundi LSI-në, këto klane kanë interes të vënë dorë mbi PS-në dhe Rama është pengesa kryesore që kanë. Ky nuk është një hap demokratik, por një skemë klanore interesash të dyshimta, të cilat asfiksojnë demokracinë dhe nuk i sjellin asnjë të mirë Shqipërisë.
Le t’i rikthehemi edhe një herë rezultatit të zgjedhjeve. Mendoni se tashmë janë dalluar fitimtarët?
Përfundimi i procesit zgjedhor do të qartësojë se kush ka fituar, kush ka bërë progres dhe kush ka dështuar. Shihet qartë se Partia Socialiste është votuar më shumë se çdo parti tjetër dhe numri i deputetëve të saj vazhdon të rritet. Duhet pasur parasysh fitorja spektakolare e PS-së në qytete, grabitja dhe deformimi i votës në disa zona të thella rurale e në zonat informale, ku njerëzit nuk mundën të votojnë lirisht. Ndërkohë, ka akoma shumë deputetë të pamandatuar. Ka edhe deputetë që do të lënë mandatin: këtu kam parasysh zotin Ferdinand Xhaferri, i cili, me siguri, pas vendimit të fundit të KKRT-së për parkun energjetik në Durrës – lexo: TECin me qymyr – do të ketë burrërinë të mbajë fjalën e dhënë publikisht në dy televizione se do të dorëzojë mandatin, duke vendosur një standard të ri demokracie në Shqipëri, për të cilin do të mbahet mend për mirë.
Shqipërisë i është dashur të duroj 40 vite diktaturë dhe 20 vite tranzicion. Disa javë kohë për të lexuar votën e shqiptarëve janë asgjë përkundrejt kostos dhe rrezikut real të mohimit të zërit të tyre në demokracinë tonë të brishtë.
Ndërkohë në Shqipëri është lënë mënjanë debati mbi krizën ekonomike. Bile, ditët e fundit INSTAT deklaroi një rritje të madhe për tremujorin e parë. Vazhdoni të keni të njëjtin mendim për ekonominë shqiptare?
Jam shprehur vazhdimisht mbi ekonominë dhe ndikimin e krizës tek ne. Fatkeqësisht reagimi i qeverisë në detyrë dhe i institucioneve të saj jo vetëm mungon, por këmbëngulet ende se ne nuk jemi në krizë dhe se vazhdojmë të kemi rritje ekonomike të lartë.
“Rrobat e reja të mbretit” po duken qartë sepse askush, madje as famkeqi INSTAT, nuk po arrin të fshehë më rritjen e jashtëzakonshme të papunësisë, rritjen jashtë çdo normë të deficitit buxhetor, kreditë e marra jashtë kritereve financiare dhe në dëm të interesave të shqiptarëve, investimet e prokuruara të plota, por të financuara vetëm në 10% të vlerës së tyre në kurriz të sipërmarrësve që ende presin të paguhen, pakësimin galopant të të ardhurave, e as humbjet e mëdha nga mungesa e eksporteve. Këto keqmenaxhime masive nuk mund të fshihen më kozmetikat që bën qeveria në detyrë për të ulur 10% të shpenzimeve administrative. Për më tepër, penalizimi i biznesit nëpërmjet rritjeve të pagesave të detyruara, dhe këtu i referohem vendimeve të fundit të qeverisë, e rëndon më shumë ekonominë.
Duhen masa drastike për përballimin e krizës dhe rivitalizimin e ekonomisë. Duhen plane antikrize, programe për ristrukturimin e borxhit, impute nga institucionet ndërkombëtare etj., hapa të cilat janë artikuluar shumë qartë ditët e fundit edhe nga Banka e Shqipërisë, sigurisht për ata që i kuptojnë ose më saktë duan ti kuptojnë. Drejtuesit aktualë kanë demonstruar të njëjtën gjë vite më parë me piramidat dhe, pasi çdo gjë u shkatërrua, u mjaftuan me justifikimin se nuk dinin dhe nuk e kuptuan mesazhin e instituciuoneve ndërkombëtare. Mbi të gjitha, urgjentisht, duhet bërë marrëveshja me FMN-në, sepse, siç mund të jeni informuar, shumica e vendeve të Ballkanit po përfitojnë nga ndihma antikrizë e këtij institucioni.