Flet kandidati - Malaj: Rama të lejojë garën për kreun e PS
Anëtari i kryesisë socialiste Arben Malaj shpalli dje kandidaturën e tij për kreun e PS-së, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë Malaj e bëri i ftuar në edicionin e lajmeve të “Ora News”. Anëtari i kryesisë socialiste u shpreh se Rama do dijë të lejojë nisjen e një procesi zgjedhor mes alternativave pas lënies së mandatit të tij.
Zoti Malaj, pavarësisht kontestimeve, pavarësisht përpjekjeve dhe deklaratave nga kreu i PS-së Edi Rama për kontestime, zgjedhjet në një farë mënyre kanë përfunduar dhe PS ka 66 deputetë, PD 70 deputetë dhe LSI 4 deputetë. Si i lexoni dhe analizoni ju zgjedhjet e 28 qershorit?
Nuk arritëm rezultatin për të cilin kishim detyrim ndaj votuesve tanë dhe që u angazhuam më shumë përkushtim. Ne duket se kemi humbur mundësi të ishim maxhorancë fituese, humbëm mundësinë të kishim një rezultat që të na ndihmonte të ishim vendimtarë për strategjinë antikrizë, për përfitimin e vizave dhe për përshpejtimin e përfitimit të statusit të vendit kandidat në BE. Partia Socialiste dhe aleatët e saj do t’i kishin sjellë një cilësi të re qeverisjes së vendit.
Sipas jush, nëse bëni një analizë, përse humbi Partia Socialiste, cilat janë arsyet?
Është shpejt sepse jemi fokusuar në fazën përfundimtare të procesit. Duhet të ishim më të qartë dhe më të hapur për koalicionet, brenda gjithë spektrit të majtë, pse jo edhe nga parti të djathta të qendrës. Faktori i dytë, është mosrespektimi i hierarkisë së vlerave me listën e kandidatëve, një ekuilibër më i mirë midis kontributeve afatgjatë dhe freskimit të përfaqësimit politik, duke mbështetur dhe mirëpritur investime të reja dhe cilësore në grupin e ri parlamentar. Një faktor tjetër është hezitimi për të prezantuar ekipin potencial të qeverisë, performancë jo e mirë dhe disa herë nën potencialet reale të PS në debatet publike. Një ndikim jo të vogël ka edhe mosprezantimi i programit, për të cilin u punua shumë dhe me ekspertizë edhe ndërkombëtare. E fundit, por jo më pak e rëndësishme është personalizimi i tepruar i fushatës dhe sfidave të PS dhe të majtës. Duhej një bashkëpunim më i mirë, më kredibël dhe më efikas me koalicionin. Duhet të ishte eliminuar çdo garë edhe midis vetë partive të koalicionit, që në disa raste arriti deri në fushata denigruese.
A jeni dakord me Edi Ramën, kur thotë se tani që humbëm unë jam më i fortë se kurrë? Nëse po, përse?
Mosbraktisja e procesit deri në dalje të rezultatit, është një detyrim moral dhe politik për çdo drejtues, edhe kur është njohur me mosarritjen e rezultatit të dëshiruar.
A keni komunikuar direkt ju me zotin Rama dhe a ia keni shprehur atij pikëpamjet tuaja?
Kam pasur detyrimin që për atë çfarë duhet të bëhej më mirë, të diskutoj dhe debatoj me kryetarin e PS dhe në forumet e PS, nuk e kam parapëlqyer mediatizimin e tyre, aq më tepër që ato kanë synuar efikasitetin e PS dhe strukturave të saj, dhe jo një përfitim personal mediatik. Rastet me konkrete për të cilat ka “rrjedhur” informacion edhe për mediat kanë qenë për ndryshimet kushtetuese, kam kundërshtuar mungesën e transparencës për ndryshimin e ligjit themeltar të vendit tim dhe tërësinë e koncentrimit të kompetencave, rasti i grevës së LSI, ku u shkelën disa detyrime njerëzore dhe etike në organizim seance edhe në prani të grevistëve që ishin kolegët tanë deputetë. Rasti i fundit ka qenë diskutimi i kandidaturave për deputetë në kryesi, ku kërkova që anëtarët e kryesisë, aq me tepër koleget femra, të përfshiheshin në listë, si vlerësim për mandatin politik që kishin, një analizë më të plotë për kolegët deputetë të mëparshëm për pjesën që do të rikandidonin dhe trajtimin e kolegëve që nuk do të rikandidonin dhe së fundi, një harmonizim më i mirë me kryetarët e njësive vendore, aty ku drejtonin kolegët tanë, për të maksimizuar rezultatin. Për kushtetutën kam abstenuar dhe nuk i kam votuar disa nene te saj.
Çfarë humbet dhe çfarë fiton Partia Socialiste, nëse Edi Rama largohet nga drejtimi i saj?
Që në 2005 bashkë me kolegë është diskutuar gjatë si të eliminoheshin fenomenet negative të Partive Socialiste në disa vende evropiane, ku grindjet e brendshme kishin zgjatur opozitën e tyre. Pra të ndalej gara e tepruar midis personaliteteve të saj, të eliminohej fryma tifoze për mosikjen e drejtuesit që nuk fiton zgjedhjet parlamentare. Për këto, u vendos në statut paragrafi që automatikisht larg tifozllëkut, pro dhe kundër, ndërpret mandatin e kryetarit të partisë, dhe i hap rrugë procesit të garës për liderin e ri. Investimi i Ramës në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe në të majtën, nuk shihet bardh e zi, Rama ka një rol të modernizuar në politikën shqiptare. Mosarritja e një objektivi strategjik për të rikthyer të majtën në pushtet, nuk duhet të konsiderohet si fundi i mundësisë për kontribute të ardhshme politike, kjo nuk është fundi i një karriere politike. Mundësitë në të ardhmen do të kenë si parakusht kredibilitetin e tij, i cili fillon me respektimin e statutit dhe aq me tepër të konceptit të ndërprerjes së mandatit që ka qenë edhe vizion i vetë Ramës, për të eliminuar krizat potenciale pas humbjes. Ky është një test jo i lehtë për kredibilitetin e tij si lider. Telegramet mbështetëse janë deformim i trendit modernizues në Partinë Socialiste.
Ka një teori që Edi Rama mund të japë dorëheqjen, por kërkon votëbesimin në kryesi dhe nëse bëhen llogaritë kjo kryesi mund ta kthejë sërish atë në krye të PS-së. Si e komentoni ju këtë?
Shpresoj që Rama në funksion të kredibilitetit të tij dhe të forcës politike, në kohën e duhur do të respektojë ndërprerjen e mandatit, duhet t’i hapë rrugë garës dhe duhet të mos joshet nga kërkesa solidare për të deformuar garën. Nëse do të ketë një garë, e cila nuk fillon me negativizimin e konktributeve në PS, që bazohen në mirënjohjen e të gjitha kontributeve, që bazohet te detyrimi për të rikthyer shpresën dhe kredibilitetin modernizues të PS dhe të një fryme me ekip dhe jo thjeshtë me një lider të vetëm, patjetër që do të jem pjesë e garës. Me një vizion të qartë, me një ekip të motivuar, me mundësi koalicioni në rritje shpresoj të ofroj një mundësi të re për një fitore të ardhshme.
Ben Blushi, një personazh i rëndësishëm në PS, në një intervistë në gazetën “Panorama” ka theksuar sot se filozofia e Edi Ramës ka dështuar dhe Rama duhet të japë dorëheqjen. A jeni edhe ju dakord me këtë deklaratë të tij dhe nëse po, përse mendoni kështu?
PS duhet të luftojë të maksimalizojë çdo votë që të ketë arritur tek ajo, të respektohet fryma e statutit dhe të mbarojnë fushatat disi të personalizuara. Nuk jam për gjykim bardhë e zi të personaliteteve dhe kontributeve të tyre në PS dhe politikën shqiptare. Një vullnet dhe angazhim më pozitiv për sfidat e të nesërmes, mund të na sjellë më shpejt në një moment të ri të shpresës dhe fitores.
Milo: Të krijohet federata e majtë
Kryetari i PDS-së Pakal Milo kërkoi dhe riorganizimin e të majtës, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Milo propozoi dje krijimin e një federate të majtë, tezë e cila është hedhur më herët edhe nga Skënder Gjinushi, i cili ka mbrojtur vazhdimisht krijimin e një konfederate të këtij blloku. Sipas kreut të Demokracisë Sociale, kjo është e vetmja zgjidhje e opozitës në këto momente. “Riformatimi i të majtës shqiptare në formën e një federate funksionale, me një demokraci të brendshme jo formale, po efikase me një drejtim, i cili do të konturohet mbi bazën e përvojës evropiane ku të kombinohet autonomia e partive anëtare të kësaj federate me një drejtim kolegjial, i cili do t’i japë të majtës shqiptare një unitet të domosdoshëm jo vetëm për të funksionuar, po dhe për të përballuar sfidat e mëdha politike, elektorale që ka përpara Shqipëria dhe shqiptarët”, u shpreh Paskal Milo, kreu i PDS-së. PDS ishte pjesë e koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste, bashkë me PSD-në e Gjinushit, ku të dy krerët e tyre nuk arritën të dilnin deputetë në Parlamentin e ri.