PD ndërron 3 anëtarë të KRRT-së
Arben Qiriako, Ilir Proko dhe Kelti Kruja, janë tre anëtarët e rinj të KRRT nga maxhoranca. Vendimi u mor dje në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e para që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Madje pikërisht për to pati edhe debate mes anëtarëve. Në rend të ditës ishin parashikuar të miratoheshin 13 pika, prej të cilave vetëm një nuk u miratua, por nuk është përjashtuar vëmendja nga zhvillimi i fushatës dhe ditës së votimit. Ferdinand Poni, anëtari i Partisë Demokratike, u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë me standarde, duke e quajtur koalicionin PD-LSI si koalicionin e Evropës. “Kërkojmë që Rama të lerë edhe Bashkinë sepse përdori asetet e saj në fushatë”, tha Poni. Menjëherë pas tij reagoi Besnik Bare, përfaqësues i PS, i cili tha se e djathta ka përdorur administratën në fushatë. “Këto nuk ishin zgjedhjet e mirëpritura” tha Bare, duke shtuar se fushata ka pasur shpenzime të jashtëzakonshme. Më pas, kreu i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishi kërkoi që t’i jepej fund debatit për të vijuar me rendin e ditës.