Dule: Nuk do bëj pazar me Berishën, duhet qeveri teknike
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut hodhi dje idenë e krijimit të një qeverie teknike dhe i bën thirrje qeverisë të përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Propozimi i kryetarit të PBDNJ-së, vjen gati 3 javë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule deklaroi dje në një konferencë për shtyp nga selia e tij se PBDNJ konteston procesin zgjedhor, duke u shprehur se procesi i numërimit te votave tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve. “Zgjedhjet e 28 qershorit 2009, deligjitimohen përditë e më tepër në sy të qytetarëve e të shoqërisë, për të qenë zgjedhje të ndershme, të barabarta e politike. Procesi i numërimit nuk mund të përshkruhet një hap para por një hap prapa, por qe tërësisht i dështuar, duke tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve”, u shpreh Dule. Nga rezultatet paraprake të KQZ, koalicioni Aleanca e Ndryshimit e kryesuar nga PD ka 70 mandate, kundrejt Bashkimit për Ndryshim 66 mandate e kryesuar nga PS, pjesë e të cilës është dhe PBDNJ, ndërsa Aleanca Socialiste për Integrim e LSI-së ka 4 mandate. PD dhe LSI kanë deklaruar se pranojnë të krijojnë koalicionin për të formuar qeverinë e re. Në këtë situatë politike, Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule vlerëson se koalicioni Berisha- Meta, është një produkt i tjetërsuar i këtij procesi zgjedhor, i cili nuk mund të çojë Shqipërinë drejt integrimit të BE-së, dhe propozon krijimin e një qeverie teknike, një ndër objektivat e së cilës do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Duke iu përgjigjur pyetjes, nëse PBDNJ do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, Dule tha: “Ju po më flisni për pazare anadollake. Nuk janë në karakterin tonë. Nuk i jemi shtruar dhe nuk do t’i hyjmë tundimit të këtij lloj pazari”. Dule tha se PBDNJ po shqyrton qëndrimin e PS-së për të mos njohur procesin zgjedhor, por sqaroi se çfarëdoqoftë qëndrimi nuk do të legjitimonte një qeveri që vjen në pushtet me votë të tjetërsuar. Pas konferencës për shtyp, Dule ka zhvilluar dje një takim në selinë rozë me kryetarin socialist Edi Rama, ndërsa nuk bëhen publike detaje të këtij takimi. Kryeministri Berisha iu përgjigj dje edhe deklaratës së kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Teksa la të hapur ende mundësinë e bashkëpunimit me këtë parti, kreu i qeverisë tha jo pa ironi se e kishte paralajmëruar Dulen, para se ai të vendoste t’i bashkohej koalicionit të PS-së. “Ne jemi të hapur për koalicion. Një nga këto forca që është ftuar për koalicion është edhe PBDNJ. Akoma nuk ka një vendim përfundimtar. Unë e dëgjova Vangjelin, por i them atij dy gjëra: Në politikë “asnjëherë mos thuaj kurrë”. Së dyti: unë i dola borxhit atij. Kur u ndava me të, i thashë vetëm kaq: Vangjel kujdes!”, tha Berisha.