E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Pavlefshmëri zgjedhjesh në Fier

 

ADI SHKEMBI

PD depoziton në Kolegjin Zgjedhor kërkesën për shpalljen e pavlefshme të 6 qendrave votimi në qarkun e Fierit, në të cilat sipas saj janë kryer një sërë shkeljes ligjore. Gjatë mesditës së djeshme, grupi i juristëve pranë PD-së paraqitën pretendimet për të shpallur të pavlefshme qendrat e votimit 3185 dhe 3186 në komunën Libofshë. Kutitë e këtyre dy qendrave të votimit u numëruan pa praninë e komisionerëve të PD-së. Në qendrën e votimit 3185, koalicioni i PD-së ka marrë 78 vota, kurse koalicioni i PS-së 200 vota dhe koalicioni i LSI-së 79 vota. Ndërsa në qendrën e votimit 3188, koalicioni i PD-së ka marrë 93 vota, koalicioni i PS-së 327 vota dhe koalicioni i LSI-së 81 vota. Në të njëjtën kohë, PD-ja ka kërkuar shpalljen e pavlefshme edhe të qendrës së votimit 3006, në të cilën sipas saj janë gjetur 390 fletë votimi të grisura. Në këtë qendër koalicioni i PD-së ka fituar 187 vota, koalicioni i PS-së 312 vota dhe koalicioni i LSI-së 23 vota. Në të njëjtën kohë, PD-ja i ka kërkuar kolegjit zgjedhor shpalljen të pavlefshme të tre kutive të votimit në komunën Portëz në Fier (3119; 3120; 3121) në të cilat më 28 qershor nuk u votua. Së bashku me kërkesën për pavlefshmërinë në këto gjashtë qendra votimi, PD ka ankimuar edhe vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të qarkut të Fierit. Por nëse Kolegji Zgjedhor do të pranojë kërkesën e PD-së për të nxjerrë të pavlefshme këto gjashtë qendra votimi, mund t’i hapet rruga ribërjes së zgjedhjeve në të gjithë qarkun. Vendimi mund të merret vetëm pasi të kalkulohet nëse shpallja e pavlefshme e këtyre qendrave ndikon në rezultatin përfundimtar të ndarjen së mandateve. Në nenin 161 të Kodit Zgjedhor thuhet se “do të konsiderohet ndikim në ndarjen e mandateve për zgjedhjet në Kuvend, kur numri i zgjedhëse që kanë votuar apo mund të kishin votuar në qendrën apo qendrat e votimit të shpallura të pavlefshme, është i barabartë ose më i madh se numri i zgjedhësve të nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore përkatëse”. Nga përllogaritja, gjashtë qendrat e votimit kanë 4611 zgjedhës, ndërkohë që diferenca e votave për mandatet e dy koalicioneve është 157 vota.
KQZ
Ndërkohë përveç Kolegjit Zgjedhor, një tjetër betejë e koalicionit të djathtë është duke u zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në limitet ligjore Partia për Drejtësi dhe Integrim, pjesë e koalicionin “Aleanca e Ndryshimit” paraqiti një kërkesë për pavlefshmëri në katër qendra votimi (3185, 3188 dhe 3196 në komunën Libofshë dhe 3006 në Bashkinë Fier). Sipas kësaj force politike, qendra 3006 ka pasur fletë votimi të grisura, 3196 me fletët pa kundrafletë dhe qendrat 3185 dhe 3186 me vendim të QV-së të mos hapen. “Kërkesa është në bazë të nenit 160 të kodit afati prej ditësh nga dita e marrjes së vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve. Vendimi i KQZ-së është i datës 13 korrik dhe kjo kërkesë është brenda afatit”, theksoi Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Por kërkesa u kundërshtua nga përfaqësuesit e PS-së në KQZ, sipas të cilëve kërkesa është jashtë afateve, pasi vendimi i KQZ-së për shpalljen e tabelave të Fierit është marrë më 7 korrik. “Miratimi i tabelës së rezultateve të qarkut të Fierit është bërë më 7 korrik. Çështja është jashtë afatit, sepse ju e keni miratuar vendimin pikërisht në këtë datë dhe sipas Kodit Zgjedhor, kërkesa duhej të paraqitej brenda datës 10 korrik”, theksoi Genci Gjonçaj i PS-së. Ky argument u kundërshtua nga përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, sipas të cilit vendimi i KQZ-së duhet konsiderohet ai pas numërimit të 10 qendrave votimi, duke qenë se ato kanë ndikuar direkt në mandatet për koalicionet. Pas debateve në KQZ, u vendos me katër vota pro komisionerëve të maxhorancës, që të pranohet për shqyrtim kërkesa, ndërkohë që tre komisionerët e majtë votuan kundër. Shqyrtimi i kërkesës së PDI-së do të bëhet ditën e hënë.

kerkesat ne kolegj

Kërkesa e PD
• Ankimim i tabelës përfundimtare të qarkut Fier
• Shpalljen të pavlefshme të qendrave 3185, 3186, 3006
• Shpalljen të pavlefshme të qendrave 3119, 3120, 3121

Kërkesa e PS
• Rinumërim të votave të pavlefshme të qarkut Berat
• Shpalljen të pavlefshme të votimit në komunën Ruzhdie
• Rinumërim të disa kutive në qarkun Shkodër

Kërkesa e Partisë Konservatore
• Shpallje e pavlefshme e të gjithë qarkut Durrës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›