E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk tërhiqemi nga zbardhja e zgjedhjeve

 

Kreu i PS, Edi Rama, tha dje se nuk do të tërhiqet nga ajo që ai e cilëson leximi i drejtë i votës së shqiptarëve. Në një konferencë për shtyp, kryesocialisti u shpreh se do t’i konsumojë deri në fund të gjitha hallkat ligjore, përfshi këtu dhe hallkën e fundit, Kolegjin Zgjedhor për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër. “Urojmë që Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja me ligjin e me të drejtën tonë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit e mbështetësit tanë se ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s’ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, po me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur, ku fiton gjithnjë pushteti, pavarësisht si voton qytetari” tha ai gjatë një konference për shtyp. Sipas Ramës, Partia Socialiste nuk do të lejojë që zgjedhjet të fitohen nga ata për të cilët nuk kanë votuar shqiptarët. “Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrimi ynë për ta zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit” theksoi Rama. Tre javë pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat kanë nxjerrë fitues koalicionin e djathtë, kryetari socialist akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mohim të leximit të votës së qytetarëve, por dhe Kryeministrin Berisha që po mban peng zgjedhjet. “Vazhdon maskarada e KQZ-së, vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve, vazhdon farsa e kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, që rrit taksa e inauguron rrugë të pambuluara me financime, duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derë dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri është përditë e më dramatike”, u shpreh kryesocialisti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›