E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shpall në Sukth rekordet e qeverisë



Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e rrugës Shijak-Koxhasë-Borakë-Sukth, një rrugë që lidh këtë zonë me superstradën Tiranë- Durrës duke theksuar rekordet dhe arritjet , që sipas tij janë të pashembullta në tre vitet e fundit. Gjatë përurimit të kësaj rruge në fshatin Koxhasë të komunës Xhafzotaj (Shijak), Kryeministri nënvizoi se në këtë zonë janë 28 km rrugë rurale, ku në 8 vitet e qeverisjes socialiste nuk u asfaltua asnjë kilometër. “Në vitet e qeverisjes demokratike, në këtë zonë janë përfunduar tërësisht 14 kilometra rrugë, ndërsa janë në përfundim e sipër 7 km rrugë të tjera”, tha Berisha, duke theksuar se “në fund të vitit 2008 ne shtrojmë 75 përqind të rrugëve, kurse brenda 2009 nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në fshatrat e kësaj komune”. Kreu i Qeverisë u ndal dhe në buxhetin suplementar të këtij viti, i cili mori miratimin në Kuvend. “Atyre që kanë votuar kundër buxhetit u them që të vijnë këtu dhe të pyesin fermërt nëse duan që të shtrohen rrugët e tyre, nëse duan që të rriten pensionet e tyre pasi këto janë meritat e buxheteve të mirëorganizuara”, cilësoi Berisha. Ndër të tjera Kryeministri tha se “atyre që janë skeptikë ndaj projektit të asfaltimit të rrugëve rurale, projekt shumë ambicioz, me 400 milion dollarë këstin e parë, u them që të vijnë këtu, të dalin nga kulla e fildishtë dhe të shëtisin sepse gjejnë këtu gjysmën e rrugëve të afaltuara në dy vjet dhe po kështu do vazhdojmë derisa sa të nxjerrim tërësisht Shqipërinë nga balta dhe nga çakulli”

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›