Vetëvritet tragjikisht 47-vjeçari, vuante prej 18-vjetësh nga depresioni
TIRANË - Një 47 vjeçar ka vrarë veten në mënyrën më tragjike të mundshme, duke u hedhur nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. Policia e Tiranës konfirmoi se Bilal Brahimllari i lindur në Fier dhe banor në rrugën “Komuna e Parisit”, në Tiranë, është hedhur rreth orës 03:00 të mëngjesit nga ballkoni i apartamentit ku banonte, ndërkohë që familjarët e tij ishin në gjumë. Nga grupi hetimor i pranishëm në vendngjarje bëhet e ditur se personi në fjalë vuante nga depresioni prej 18 vjetësh, ndërkohë që mendohet se edhe aktin fatal e ka ndërmarrë në kushte të tilla. Materialet do t?i kalojnë Prokurorisë, për ndjekje të mëtejshme.
Posedonte një radio policie dhe një shkop gome, ndalohet shoferi
Tiranë – Kontrolli rutinë i uniformave blu i ka gjetur një 35 – vjeçari një radion policie dhe një shkop gome. Burimet thanë se rreth orës 01:00 shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ushtruan një kontroll në rrugën “Hasim Vokshi”, në autobusin me targa TR 1059 M, në pronësi të shtetasit Shefqet Geca, 35 - vjeç, lindur në Has dhe banues në Tiranë, të cilit ju gjetën dhe u sekuestruan, një radio policie dhe një shkop gome, të cilat shtetasi i lartpërmendur i posedonte. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279 i Kodit Penal.
Tentuan të vidhnin dyqanin e kinezes, arrestohen në flagrancë
Tiranë - Në këtë kuadër nga specialistë të seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera, u realizua kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Nurian Nina, 28 - vjeç dhe Pëllumb Nina, 26 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse u kapën në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Komisariatit Nr. 4, duke tentuar të vjedhin një dyqan në Rrugën e Dibrës, në pronësi të një shtetaseje kineze. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan një levë xhiro makine, një kaçavidë, një çekiç dhe një dry i thyer në derën e dyqanit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të “Vjedhjes së mbetur në tentativë” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/2 dhe 25 të Kodit Penal.
28 Korrik 2008