E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e Identitetit, Shqipëria pranë kolapsit në zgjedhjet e ardhshme



Habjon Hasani
Deputeti socialist Kastriot Islami ka bërë dje publike disa të dhëna të cilat kompromentojnë seriozisht fatin e zgjedhjeve të ardhshm. Sipas Islamit, kontrata dhe kushtet që i janë vendosur firmës “Sagem” për prodhimin e kartave të identitetit, nuk japin asnjë garanci për prodhimin e tyre para zgjedhjeve. “Jam sot para jush për të paraqitur shqetësimin e vonesave dhe të pasigurisë për zhvillimin e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues dhe me të gjithë infrastrukturën zgjedhore të përfunduar, ku kryesisht kam parasysh listat e zgjedhësve të hartuara mbi bazën e rregjistrit civil kombëtar, të përqendruar e elektronik dhe kartat e identitetit. Sipas dispozitave të ndryshuara kushtetuese zgjedhjet e ardhshme parlamentare normalisht duhet të zhvillohen, jo më vonë se muaji qershor 2009. Nga ana tjetër, zgjedhjet e standarteve demokratike nuk mund të bëhen realitet pa reformimin e Kodit Zgjedhor dhe pa garantuar të gjithë insfrastrukturën zgjedhore, pra pa paisur cdo zgjedhës me kartë identiteti dhe pa hartuar listat e votuesve mbi bazën e rregjistrit civil elektronik të përqendruar. Në rast të kundërt kuvendi do të futej në debatin qesharak për përcaktimin e datës së zgjedhjeve jasht afatit kushtetues”, - ka deklaruar dje Islami.Ai më tej ka shtuar se konkluzioni i PS-së është se për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin kushtetues dhe me të gjithë infrastrukturën zgjedhore, ekzistojnë vonesa të pajustifikueshme nga ana e qeverisë.
Afatet
Islami ka saktësuar dje se për prodhimin e kartave të identitetit dihet vetëm data 1 janar 2009 për fillimin e prodhimit e shpërndarjes së tyre, ndërkohë që nga informacionet zyrtare apo publike ende nuk është e qartë se kur do të mund të pajiset shtetasi i fundit me kartë identiteti. “ Nuk dihet ende numri i saktë i kartave që duhen prodhuar e shpërndarë, ose së paku kjo gjë ende nuk është bërë transparente. Për rrjedhojë nuk dihet kohëzgjatja për prodhimin e kartave, dhe jo kohëzgjatja e përcaktuar në kontratën me Sagem, por një parashikim se kur procesi i pajisjes së shtetasit të fundit me kartë identiteti do të përfundojë. Nga media dihet se numri i kartave të prodhuara e të shpërndara në ditë nga kompania franceze Sagem në të gjithë territorin e vendit është, sipas kontratës së firmosur, 15 mijë karta në ditë. Por, është i turbullt informacioni sesa ditë në muaj do të punojë kompania franceze, për të bërë të mundur më tej të përcaktohet sesa karta do të mund të prodhohen e shpërndahen realisht në një muaj. Dhe më tej për të bërë të mundur të përcaktohet saktësisht sesa muaj duhen saktësisht për të përmbyllur këtë proces”, tha Islami duke shtuar se në kontratën e firmosur me qeverinë shqiptare, kompania franceze ka vendosur rezervën se nuk mban asnjë përgjegjësi në rast se shtetasit nuk paraqiten për të dhënë informacionin e nevojshëm dhe për të tërhequr kartën e prodhuar. Përgjegjësia për këtë aspekt është tërësisht e qeverisë shqiptare dhe deritani qeveria nuk ka përcaktuar ende asnjë mekanizëm detyrues apo nxitës për zgjedhësit që të mundësohet pajisja e tyre me kartë identiteti.
Kërkesat
“Përvec sa më sipër duhet të evidentoj faktin se për një kategori familjesh në nevojë pajisja me kartë indetiteti përbën edhe ngarkesë financiare të papërballueshme. Dhe qeveria ende nuk ka asnjë zgjidhje për këtë aspekt. Dhe së fundmi për zgjedhësit me banim jashtë vendit, të cilët e kanë të pamundur të ndjekin kalendarin e veprimit të kompanisë franceze, sepse nuk do të ndodheshin me vendin ku kanë bërë rregjistrimin gjatë kësaj periudhe, ende nuk ka një zgjidhje të qartë nga ana e qeverisë për pajisjen e tyre me karta identiteti”,- ka deklaruar Islami. Më tej ai i ka kërkuar në mënyrë urgjente qeverisë të orientojë kalendarin e veprimeve për pajisjen e të gjithë shtetasve me karta identetit në mënyrë të tillë të gjithë zgjedhësit të jenë pajisur me kartë identiteti, jo më vonë se muaji prill 2009 në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në afatin kushtetues, pra jo më vonë se qershor 2009. ”Për këtë qëllim qeveria duhet të sqarojë numrin e saktë të zgjedhësve që do të duhet të pajisen me karta identeti, të negociojë e saktësojë kohën e nevojshme, që do t’i duhet kompanisë franceze deri në paisjen e shtetasit të fundit me kartë identiteti, të përcaktojë të gjithë mekanizmat ligjorë e infrastrukturorë që detyrojnë dhe nxisin shtetasit për t’u pajisur me kartë identeti. në këtë funksion të rinegociojë me kompaninë “Sagem” të gjithë opsionet për rritjen e kapaciteteve që do të çonin në rritjen e ritmeve të prodhimit e të shpërndarjes së kartave në mënyrë që ky proces të përfundojë, jo më vonë se muaji prill 2009. Mbi këtë bazë, nëse paraqitet nevoja të përgatisë projektin për shtesat në projekt nga buxheti i shtetit për të përcaktuar mekanizmat financiare të ndihmës për familjet në nevojë”, - ka theksuar Islami

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›