E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltari i Berishës kandidat për Zëvendëspresident i SHBA-ve



Tom Rixh, këshilltar legal i Kryeministrit Berisha, është lakuar nga mediat amerikane si një kandidat potencial për zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara në rast të fitores në zgjedhje të kandidatit republikan për President Xhon Mekein. Rixh nga ana e tij ndonëse nuk ka mohuar këtë mundësi është shprehur paksa skeptik për momentin e shpalljes së këtij informacioni duke u shprehur se “nuk e di se çfarë kanë dashur të kalkulojnë apo të arrijnë ata që e shpëllën pikërisht tani këtë informacion. Megjithatë unë mund të them se deri më tani ky nuk është një fakt zyrtar”,- ka deklaruar Rixh. Njoftimi për shpalljen e Tom Rixh si kandidat për zëvendëspresident erdhi nga disa media prestigjoze amerikane të cilat i referoheshin burimeve të tyre në rangjet më të larta të stafit të kandidatit për president Xhon Mekein. Rreth një muaj më parë mbi ish-këshilltarin amerikan të kryeministrit Sali Berisha, Tom Rixh, në mediat amerikane u hodhën dyshime se ka tentuar që t’u shmanget taksave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkak për këtë është bërë vonesa dyvjeçare në raportimin që Rixh duhet të bënte në Departamentin Amerikan të Shtetit për punën dhe funksionin e tij si lobist në qeverinë shqiptare. Lajmi u bë i ditur nga gazeta e Kongresit Amerikan “Roll Call”, në të cilën theksohej se Rixh nuk kishte raportuar punën e tij si lobist në qeverinë shqiptare dhe të ardhurat që ai siguronte nga ky funksion. Ish-Këshilltari i Berishës ka reaguar duke thënë se thjesht kishte neglizhuar deklarimin e punës së tij si lobist. Tom Rixh kishte me qeverinë shqiptare një kontratë gjysmë milioni dollarë si këshilltar i kryeministrit Berisha. Sipas rregullit amerikan, duhej që lobistët të regjistrohen pranë Ministrisë amerikane së Drejtësisë. Tom Rixh e ka përmbushur këtë detyrim vetëm tani pas dy vitesh. Reagimi tij ka qenë se mosdeklarimi kishte të bënte me padijeninë për rëndësinë e regjistrimit të punës së tij si lobist. “Nuk e mendova se ishte e nevojshme të regjistrohesha. Gjithë kjo çështje doli në dritë pasi kontrata ime me qeverinë shqiptare përfundoi dhe avokati më tha se në këto rrethana duhej ta regjistroja”. Ai e kreu regjistrimin vetëm pasi u kontaktua nga Ministria e Drejtësisë. Ish-guvernatori i Pensilvanisë dhe ish-këshilltari i kryeministrit Berisha, tashmë është një nga drejtuesit e fushatës presidenciale të kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Mekein.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›