Xhufi: PS dhe LSI të nisin punën për shkarkimin e Topallit
Deputetët socialistë dhe ata të LSI-së, do të nisin mbledhjen e firmave për paraqitjen në Kuvend të një mocioni mosbesimi për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në harkun e tre viteve, ky është mocioni i dytë që paraqitet në Kuvend për shkarkimin e kryeparlamentares. Shkak për këtë nisëm, sipas deputetëve të opozitës, është bërë jo vetëm dhunimi sistematik nga ana e saj i opozitës parlamentare, por edhe dhunimi dhe skandalet që ajo ka shkaktuar me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë. Deputetët e opozitës janë duke dokumentuar të gjitha shkeljet ligjore që Topalli ka bërë në Parlament, duke filluar që nga incidentet e rënda me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, sa i përket bllokimit të dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë, ngushtimit të hapësirave ligjore të grupeve parlamentare të opozitës, deri dhe tek incidentet e rënda të shkaktuara prej saj ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë. Sipas opozitës, largimi i Topallit do të përmirësojë marrëdhëniet e vështira të krijuara nga kryeparlamentarja me SHBA-të, BE-në dhe OSBE-në.
Xhufi
Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, pasi ka siguruar mbështetjen e deputetëve të LSI-së për mocionin, u ka kërkuar dje publikisht bashkëpunim të plotë për këtë nisëm edhe të gjithë deputetëve socialistë, si dhe grupeve të tjera parlamentare brenda dhe jashtë opozitës. “Prej kohësh dyshja Berisha-Topalli e kanë kthyer Kuvendin në një instrument në luftën kundër institucioneve , dhe në luftën për ndërtimin e një shteti autokratik. Ne bëjmë në mënyrë të veçantë përgjegjëse për këtë degradim të situatës në Kuvendin e Shqipërisë Kryetaren e Parlamentit znj. Topalli ,për përbaltjen dhe për përdhosjen të solemnitetit të Parlamentit ,dhe për kthimin e tij në një instituti shurdh-memec për fajin e saj, dhe akoma më shumë pë kthimin e tij në një harenë sulmesh e fyerjesh vulgare ndaj të gjithë deputetëve përfshirë edhe atë të mazhorancës, por në mënyrë të veçantë për deputetët e opozitës”, -ka deklaruar Xhufi. Sipas Xhufit, letra e ambasadorit të SHBA-së z. Ëithers, dhe ajo e Ambasadorit të OSBE-së z. Borsh, kanë treguar në mënyrë bindëse, edhe nën vëzhgimin e ndërkombëtareve, se Kuvendi i Shqipërisë është mbyllur ndaj monitorimit dhe vëzhgimit të të huajve , ashtu sikurse e kërkon rregullorja e tij, ashtu sikurse e kërkojnë edhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. “Njëkohësisht letra e djeshme e katër gjyqtarëve të shquar të SHBA-së lidhur me mënyrën e votimit të pesë dekreteve të Presidentit të Republikës, dhe me shqetësimin për mënyrën e votimit të gjashtë dekreteve në ditët e ardhshme po nga Kuvendi të Shqipërisë ,flasin qartë për një humbje të besimit në Parlamentin e Shqipërisë gjë që vjen si pasoj e mungesës së përgjegjësisë nga ana e mazhorancës dhe të drejtueseve të saj. Kryeparlamentarja, anëtarë të ndryshëm të ekzekutivit dhe ndonjë deputet i mazhorancës, duhet ta dinë se edhe në kohët kur shoqëria nuk drejtohej nga ligjet e shtetit por drejtohej nga e drejta zakonore, të shaje, të godisje apo të fyeje në kuvendin e burrave përbënte një shkelje të rëndë morale që dënohej shumë rëndë”, -deklaroi nënkryetari i LSI-së.
Degradimi
Xhufi ka saktësuar se Topalli ka përgjegjësinë të patjetërsueshme në degradimin e rolit dhe të imazhit të Parlamentit. “Në kushtet kur imazhi dhe autoriteti i Kuvendit të Shqipërisë ka rënë nën nivelet historike, ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme për dialogun politik kryerjen e reformave dhe për rivendosjen e një marrëdhënie të prishur të këtij kuvendi si me qytetarët shqiptar ashtu edhe me partnerët tanë ndërkombëtar, ne kërkojmë ndryshime thelbësore në punimet e këtij kuvendi. Për të bërë një gjë të tillë ne konsiderojmë se është e domosdoshme që Kryetarja aktuale e Kuvendit të Shqipërisë znj. Topalli të shmanget nga detyra që ajo po kryen shumë keq. Në fund të fundit historia politike e znj. Topalli është ajo e një njeriu që ka qenë më tepër njeriu i konfrontimit sesa njeriu i dialogut. Ne ripërsërisim me këtë rast edhe mbështetjen që kemi thënë më parë ndaj idesë për të realizuar një mocion mosbesimi ndaj Kryetares së Kuvendit znj. Topalli, duke kurajuar edhe njëherë nismëtarët e kësaj iniciative, pikërisht Partinë Socialiste, për të shkuar përpara me procedimin e kësaj iniciative”, -ka përfunduar deklaratën Xhufi.
28 Korrik 2008