Berisha shpalos vizionin 4-vjeçar të Shqipërisë që po Ndryshon

Mbahet sot Kuvendi elektoral i Partisë Demokratike, në të cilën do miratohet platforma qeverisëse në 4 vitet e ardhshme si dhe kursi i thellë reformator që pritet të zbatohet në sektorë të tillë si shëndetësia, legjislacioni apo energjetika
TIRANE - Partia Demokratike zhvillon sot Kuvendin e saj elektoral, që do të iniciojë si hapje e fushatës zgjedhore të partisë më të madhe qeverisëse. Në këtë Kuvend që mbahet në Pallatin e Kongreseve, në praninë e kryeministrit Sali Berisha, do të prezantohet platforma dhe programi elektoral e Partisë Demokratike, për katër vitet e ardhshme. Për mbajtjen e këtij kongresi kanë menduar grupet e punës, të cilët do të prezantojnë programin e partisë në pushtet, për katër vitet në vijim, ku si elemente kryesore janë përcaktuar investimet në sektorët më jetike në vend, vijimin e projekteve të nisura në mandatin që sa po mbyllet. Sot do të flitet në mënyrë të detajuar nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, në lidhje me reformat në një sërë fushash, si arsimi, shëndetësia, programet buxhetore dhe investimet të cilat janë parashikuar për t’u kryer gjatë mandatit të dytë qeverisës.
Partia Demokratike, që nga momenti i ardhjes në pushtet, ka punuar me përkushtim të plotë dhe me indikacion të qartë, për të përmirësuar jetën e të gjithë Shqiptarëve. Në vetëm katër vite, janë ndërtuar qindra kilometra rrugë të reja duke lidhur shqiptarët me njeri tjetrin si kurrë më parë në histori. U rritën pensionet, janë rritur rrogat e mësuesve, infermierëve dhe mjekëve, si dhe janë ndërtuar shkolla e spitale të reja në të gjithë vendin. Një nga premtimet madhore të PD-së katër vite më parë, ishte edhe lufta kundër korrupsionit. Në katër vite qeveria “Berisha” arriti t’i japë një goditje të rëndë këtij fenomeni, duke shpëtuar nga korrupsioni 4 miliard dollarë. Në këto katër vite, imazhi i Shqipërisë në botë është përmirësuar dukshëm me anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, ndërkohë që edhe jo për shumë kohë, në fund të 2009-ës, shqiptarët do të lëvizin të lirë dhe pa viza në mbarë Evropën.
Progresi i Shqipërisë është i dukshëm dhe i vazhdueshëm. Nuk është rezultat i idesë së një individi dhe as kjo fushatë nuk është e bazuar rreth idesë së një njeriu. Gjithçka është e bazuar tek të gjithë dhe tek vendosmëria kolektive në tërësi, për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e progresit të mëtejshëm.