Në katër vite, mazhoranca shembi murin e varfërisë dhe murin që na ndante me NATO-n

Fatmir Mediu takon anëtarë dhe simpatizantë të PR-së në Librazhd
TIRANE - Ndalesa e radhës së turit të kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte qyteti i Librazhdit. Në këtë takim elektoral Mediu nënvizoi se mazhoranca e djathtë, pjesë e së cilës është dhe Partia Republikane, gjatë katër viteve të qeverisjes së saj shembi murin e varfërisë dhe murin që ndante shqiptarët me NATO-n.
“Ne e shembëm atë mur në 2005-ën, me banorët e Librazhdit dhe të gjithë Shqipërisë. Ne ndërtuam shpresën dhe besimin te e ardhmja. Ne luftuam bashkë me ju për të realizuar në radhë të parë dinjitetin dhe integritetin tonë dhe tuajin si librazhdas, shqiptarë, dinjitetin tonë kombëtar. Prandaj zgjedhjet e 28 Qershorit janë shansi dhe mundësia jonë që Shqipëria të bëhet vend i denjë i Bashkimit Evropian”, u shpreh Mediu.
Ai vuri në dukje se tashmë mazhoranca i ka përcaktuar prioritetet, duke lënë pas varfërinë dhe duke parë drejt prosperitetit, zhvillimit.
“Unë kam bindjen se ne jemi në rrugë të mbarë, në rrugën drejt BE-së dhe jemi të gjithë bashkë udhëtarë, të gjithë shqiptarët pa dallim”, shtoi kreu i PR-së.
Përsa i takon mbarëvajtjes së zgjedhjeve, Mediu u shpreh se “këto zgjedhje do të jenë të lira dhe transparente, do të arrijnë standarde të larta, në mënyrë që vota e shqiptarëve të jetë e pakontestueshme”.
“Këto zgjedhje do të jenë përgjigja më e mirë për punën e bërë, për arritjet dhe sukseset. Besimi që do të na japin shqiptarët, për një mandat të dytë, do të na inkurajojë në luftën e mëtejshme kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformave të suksesshme, në mënyrë që ashtu si arritëm të anëtarësonim Shqipërinë në NATO, të anëtarësohemi dhe në BE”, nënvizoi Mediu.