Fushata elektorale, KQZ dyfishon kohën e transmetimit në TVSH
PD dhe PS, përfitojnë 60 minuta kohë transmetimi
TIRANE - Koha që partitë parlamentare do të kenë në dispozicion në Televizionin Publik, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, është dyfishuar krahasuar me përcaktimet e bëra në kodin zgjedhor të vitit 2003.
Sipas vendimit të miratuar dje nga KQZ, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, të cilat kanë marrë më shumë se 20% për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë një kohë transmetimi në TV publik prej 60 minutash secila, në 30 ditët e fushatës elektorale. Ndërsa partitë parlamentare që kanë nën 20 % të vendeve në parlament, përfitojnë 30 minuta kohë transmetimi në TV Publik.
Për të gjitha partitë e tjera, që do të konkurrojnë në zgjedhjet dhe janë jashtë parlamentit, koha televizive e përfituar do të jetë 10 minuta. Kodi i vjetër parashikonte një minutazh në TV Publik jo më pak se 30 minuta për dy partitë e mëdha që kishin marrë 20% të vendeve në parlament, për partitë e tjera parlamentare, kjo kohë ishte parashikuar me një minutazh prej 15 minutash.
Për partitë joparlamentare koha e vënë në dispozicion ishte 10 minuta. Vendimi “Për kohën e transmetimit për partitë politike në Televizionin Publik”, u miratua nga KQZ, në mbështetje të Kodit të Ri Zgjedhor ,neni 81, pika 1, në minutazhin politik të edicioneve informative.