E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha siguron grevistët: Vota, në skaner

Kryeministri Sali Berisha që nga Brukseli siguron deputetët grevistë se vota e 2009-ës do të vendoset mbi skaner. Por Berisha u vuri atyre në dukje se komisionerët e zgjedhjeve nuk mund të fitohen me greva urie. Sipas Kryeministrit, të gjitha partitë kanë pasur kohë të debatojnë për Kodin Zgjedhor në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ku po merr pjesë në një simpozium për biznesin dhe lidershipin, Berisha bëri të qartë se në këtë rast nuk mund të anashkalojë PS-në për negociata, pasi ajo është partia opozitare kryesore në vend. "Së pari, duke shprehur respektin për vendimin e gjithsecilit, më duhet të them se anëtarët e komisioneve zgjedhore, në qoftë se vendosen në këtë mënyrë nëpërmjet grevës së urisë, unë mendoj se nuk është e mundur që ata të caktohen. Kanë pasur çdo rast për të qenë në komision parlamentar dhe kanë qenë në komision dhe ligji do shkojë prapë në Parlament", - tha Berisha. Kryeministri Berisha përsëriti se qeveria është e shtrënguar të negociojë vetëm me partinë më të madhe opozitare dhe se ai nuk mund të anashkalojë Partinë Socialiste për t’i plotësuar kërkesat partive më të vogla në opozitë. "Partia Demokratike ka qenë në opozitë dhe ka pasur periudha që nuk ka pasur asnjë përfaqësues në komision dhe nuk ka ndërmarrë kurrë veprime ekstreme të grevave të urisë ose të bojkotit të zgjedhjeve. Kemi bërë çdo përpjekje dhe unë mund t'ju them një gjë, që numërimi i votave në këto zgjedhje, për ata që e lexojnë atë kod, do të jetë numërimi më transparent në historinë e vendit dhe ndoshta dhe në historinë e Evropës. Sepse është parashikuar që çdo fletë votimi të vendoset mbi skaner dhe të projektohet mbi mur rezultati i saj për të gjithë ata që e shohin", - tha Berisha. Kryeministri Berisha refuzoi përgjigjen e pyetjes se a mund t’i plotësohet kërkesa PDK-së, kur në grevë kanë hyrë edhe deputetë që kanë qenë në koalicion me qeverinë e djathtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›