E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatura e Topit arrin konsensus maksimal në Kuvend

Shpresa Beçaj do të jetë e para femër në krye të Gjykatës së Lartë. Kuvendi ka dhënë dje pëlqimin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me një numër rekord votash. Si asnjëherë tjetër, opozita dhe maxhoranca kanë dhënë një votë unike. Ndonëse të mjaftueshme ishin vetëm 71 vota pro, Shpresa Beçaj mori në total 122 vota pro, të gjitha votat e deputetëve që ishin në sallë dhe asnjë votë kundër. Votëbesimi i saj ishte parandier përpara votimit, pasi nuk pritej ndonjë surprizë. Kryeministri Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, u kishte shprehur deputetëve të djathtë mbështetjen e maxhorancës për këtë zgjedhje. Njëkohësisht, nga ana e opozitës nuk pati asnjë koment negativ ndaj kësaj zgjedhjeje. Me këtë votë besim, Shpresa Beçaj do të jetë e para femër në Gjykatën e Lartë. Zgjedhja e saj me asnjë votë kundër, në fakt ka qenë surpriza e radhës, për shkak se vetëm pak muaj më parë, dekretet e Presidentit Topi hasën në një bllokim nga ana e Kuvendit, i cili i kërkoi atij konsultime paraprake për kandidaturat. Ky bllokim institucional në fakt duket se është anashkaluar, madje edhe opozita ka qenë pjesë e vendimmarrjes në këtë proces. Vota për emërimin e gjykatës Beçaj ishte në formë elektronike por e fshehtë. Beçaj zëvendëson Thimio Kondin, i cili është shkarkuar prej muajsh, për shkak të mbarimit të mandatit si kryetar i Gjykatës së Lartë. Sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Sipas të njëjtës procedurë, një nga anëtarët emërohet kryetar, që do të thotë se pas emërimit nga Presidenti i Republikës, Beçaj duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit. Shpresa Beçaj është anëtare e Gjykatës së Lartë që prej 23 marsit të vitit 2004, por për nëntë vitet e ardhshme do të jetë në krye të kësaj gjykate. Fillimet e karrierës së saj i ka pasur në qytetin e Gramshit dhe në fillim të viteve ‘90 është emëruar gjyqtare në gjykatën e Tiranës. Pas Shkallës së Parë, karriera e saj është rritur, duke u emëruar po gjyqtare pranë Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë. Në vitin 2004 është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, kur ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, pavarësisht se ky ligj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Njëkohësisht, dje Kuvendi miratoi edhe anëtarin e ri të KKRT-së. Ai do të jetë Altin Ndroqi, i cili fitoi ndaj kandidaturës së Minella Kuretës. Ndroqi fitoi 74 vota pro dhe 39 vota kundër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›