E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet kreu i LSI-së Ilir Meta: “Dakordësi për presidentin, e zgjedhim të hënën”

10-06-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka kërkuar një takim të radhës mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama për të bërë të mundur gjetjen e një emri konsensual për raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit. Meta nuk përjashtoi dhe mundësinë e një kandidature të ardhur nga spektri politik për të qenë president i ardhshëm i vendit

Aleati i demokratëve në qeverisje, kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje se është i nevojshëm zhvillimi i një takimi të dytë mes liderëve të partive kryesore në vend, Berishës e Ramës, me qëllim arritjen e dakordësimit për një proces konsensual në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Meta ritheksoi vendosmërinë e mazhorancës, për pasur një moment të dytë pozitiv, pas djegies së tre raundeve. “Përpjekjet për të gjetur një konsensus sa më të gjerë me opozitën nuk do të reshtin, por do të vazhdojnë. Dua të theksoj seriozitetin dhe vendosmërinë që kjo mazhorancë ka pasur për konsensusin që në fillim e procesit dhe kandidatura e Zaganjorit ishte në funksion të saj. Përpjekjet për konsensus që kanë qenë për gati 2 javë tashmë lanë të limituara për shkak të kohës, përpjekjet do të jenë intensive sot dhe nesër për arritjen e konsensusit, për ti dhënë fund kapriçiove dhe për të fituar një moment të dytë pas djegies së tre raundeve. Ndaj jemi për një takim të një niveli më të lartë Berisha- Rama që brenda 48 orëve të zgjidhim këtë çështje”, tha ai.
Gjithsesi ai shprehet optimist për një rezultat pozitiv, madje duke u shprehur optimist për zgjedhjen e Presidentit që të hënën.
“Jemi në një moment reflektimi, emra ka dhe sigurisht që vendi do ketë shpejt një zgjidhje për çështjen, pse jo që kjo të bëhet fakt i kryer seancën e së hënës”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së ka lënë të hapur edhe rrugën për daljen në skenë të kandidaturave politike, duke u shprehur se partia e tij nuk ka përjashtuar dhe as paragjykon askënd.
“Nuk janë të përjashtuar emrat politikë për arsye të politikanëve të paragjykuar, por konflikti politik që kemi pasur kohët e fundit na ka bërë të ofrojmë emra nga fusha të tjera. LSI nuk ka përjashtuar asnjë emër, nuk paragjykon askënd, është e angazhuar për një në proces transparent dhe konsensual”, tha më tej ai.

A ka emra konkretë për presidentin e ardhshëm të vendit?
Mazhoranca, pasi diskutoi për shumë emra, u përqendrua tek një emër, me bindje të plotë që kishte të gjitha cilësitë dhe tiparet për të fituar konsensusin e opozitës. Pra, të ish mazhorancës së dikurshme që e kishte  votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Tani, natyrisht që të gjithë jemi në një moment reflektimi. Pa dyshim që emra ka, por këtu nuk kam parasysh emra konkretë, dhe padyshim që vendi do të ketë një president apo do të ketë një zgjidhje për këtë çështje shumë shpejt.

Do t’i qëndroni staturës jo politike për presidentin e ardhshëm apo do të ketë emra politike siç mund të jetë emri i z. Nano apo i znj. Topalli?
Nuk janë përjashtuar emrat politikë për arsye të paragjykimeve ndaj politikanë të caktuar por është bërë një përpjekje për emra dhe profile të cilat mund të gjenin më lehtë konsensusin, pasi e theksoj që Shqipëria ka politikanë dhe politikane që mund të realizojnë shumë mirë detyrën e Presidentit të Republikës por konflikti politik që kemi pasur, sidomos gjatë viteve të fundit, e ka bërë të vështirë gjetjen e konsensusit për emra politikë. Nëse kjo gjë do të ishte e mundur, përse jo? Megjithatë do të tentohet, ajo që është më e rëndësishmja, për emra sa më konsensualë.

A keni parashikuar ndonjë takim me Ramën gjatë ditës së sotme apo të nesërme?
Unë besoj se gjatë ditës së sotme apo gjatë mbrëmjes së sotme ne do të bëjmë konsultime si drejtues të partive të mazhorancës dhe shpresoj që, gjatë ditës së nesërme, të jetë e mundur që të realizohet edhe një takim i nivelit më të lartë, në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhjeje konsensuale për ditën e hënë.

Cili është opinioni i LSI-së për emrin e Fatos Nanos?
LSI nuk ka përjashtuar asnjë emër sepse nuk paragjykon askënd. Lëvizja Socialiste për Integrim është investuar që në fillim të këtij procesi dhe do të investohet deri në fund për një proces kushtetues dhe për një president sa më konsensual.

LSI do të ketë ndonjë emër konkret?
Për LSI-në, qëllimi kryesor është që ky proces të kurorëzohet në mënyrë kushtetuese dhe me një emër sa më konsensual që do të garantojë, jo vetëm një komunikim sa më normal midis mazhorancës dhe pozitës por që do të përmbushë edhe të gjithë funksionet  e tjera të cilat janë të lidhura me postin e presidentit.

Do të ketë një emër të mazhorancës që do të konsultohet më pas me opozitën apo do të ketë një tavolinë të të gjitha partive parlamentare?
Këto janë çështje teknike. Vullneti nga ana e mazhorancës ka qenë maksimal. Kandidatura që ne kishim përzgjedhur kishte vlera  maksimale dhe njëkohësisht edhe tërheqja e tij pas raundit të tretë tregoi qartë që ishte një kandidat, jo vetëm tepër i përgjegjshëm por njëkohësisht i kërkuar për tu angazhuar nga ana jonë në këtë detyrë si një kandidat i paqortueshëm nga ana e opozitës e cila dikur e kishte votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese apo jo?

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›