E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha, spote publicitare me lekët e taksapaguesve”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka cilësuar si papërgjegjshmëri dhe pandjeshmëri të kryeministrit Sali Berisha, mosreagimin e këtij të fundit, lidhur me tragjedinë e ndodhur në Butrint. Braçe tha se tragjedi të tilla nxjerrin në pah ekzistencën e një tregu njerëzor. “Konsumimi i tragjedisë vijon duke nxjerrë në pah varfërinë masive, për shkak të saj po nxjerr në pah ekzistencën e një tregu njerëzish, në lulëzim, i vetmi që rilind, fiton dhe pasuron segmente të Qeverisë edhe në kohë krize ekonomike botërore”, - theksoi Braçe. Ai ka kërkuar angazhim më të madh të Qeverisë për t iu bashkuar thirrjes së të atit të 17-vjeçarit të zhdukur prej katër ditësh. Deputeti i PS-së ka denoncuar edhe shpenzimet e tepruara, sipas tij, të kryeministrit Berisha, duke theksuar këtu udhëtimin me helikopter një ditë më parë në qytetin e Beratit, në jug të vendit. “Udhëtimi dje i Sali Berishës me taksinë e tij fluturuese, sipas çmimeve të ditës që aplikohen në të tilla raste, pa TVSH, na kushtoi 1000 euro në orë udhëtimi dhe 250 euro kosto e pritjes prej 5 orësh që i bëri Kryeministrit në ahengun e tij në Berat. I gjithë ky shpenzim është i barabartë me 1 milionë e gjysmë lekë të vjetra ose me 15 pensione qyteti dhe 30 pensione fshati. Pra një udhëtim me helikopter i Sali Berishës dje, na ka kushtuar sa të ardhurat mujore të 30 pensionistëve në fshat apo 15 pensionistëve në qytet. Dhe këto janë paratë tona”, - theksoi ai. Braçe përmendi dje dhe rinisjen e fushatës publicitare nëpër televizione të ndryshme, me dy spote që ai i quajti thellësisht të gënjeshtërt në formë, e totalisht politikë në përmbajtje. Me paratë e shqiptarëve që paguajnë, Sali Berisha po mbiçmon fushatën e tij të dhunës mediatike ndaj shqiptarëve me 1 milion lekë të vjetra për çdo spot, për një transmetim. Janë disa transmetime në ditë, që kushtojnë vetëm për një televizion 4 milionë lekë të vjetra në ditë e të cilat janë të barabarta me të paktën 40 pensione në qytet dhe 80 pensione në fshat”, - tha numri dy i deputetëve socialistë.
Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›