E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, 260 abuzues hiqen nga skema

Autori i Lajmit: red.
Abuzimet me pensionet kanë sjellë largimin nga skema të 260 përfituesve. Ndërkohë që 120 dosje ku dyshohet se janë kryer shkelje i janë dëguar gjykatës për shqyrtim. Drejtoria rajonale e ISSH-së në Kukës ka dërguar në institucionet e drejtësisë 120 dosje të minatorëve nga rreth 260 të hequr momentalisht nga skema e pensioneve. Burime nga drejtoria rajonale e ISSH-së, në qytetin e Kukësit bëjnë të ditur se të gjitha shkeljet janë konstatuar në drejtorinë rajonal të qytetit verilindor. Sipas të njëjtave burime, mësohet se kjo drejtori ka vërejtur shkelje në këto dosje dhe për këtë arsye ka ngritur padi ndaj 17 punonjësve të sigurimeve shoqërore. Burime nga Gjykata e Kukësit bëjnë të ditur se 13 prej këtyre punonjësve të sigurimeve shoqërore, kanë kaluar tashmë procesin gjyqësor. Ndërkohë minatorët që kanë humbur pensionet kanë protestuar shpesh dhe pjesa më e madhe pretendojnë se pensionet u janë hequr pa të drejtë.
Hetimet
Laboratori Qendror Kriminalstik ka marrë në dorëzimin dosjet e 12 personave që dyshohet se përmes dokumenteve false kanë përfituar pension të parakohshëm qysh në vitin 2000. Dokumentet janë marrë në dorëzim pak kohë më parë nga laboratori dhe priten përfundimet e tij për të hedhur më shumë dritë mbi aferat e dyshuara. Pas ekspertizës së dokumentacionit ky laborator pritet të nxjerrë emrat e të implikuarve në mashtrimet me pensionet. Ndërkohë, pak ditë më parë, policia sekuestroi 200 dosje në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në të gjitha këto dosje, ku individë të ndryshëm kanë përfituar pension, janë kryer shkelje dhe falsifikime dokumentesh. Policia e Tiranës ka nisur pak kohë më parë një hetim të gjerë ndaj disa personave, mes tyre edhe ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, pasi dyshohen për disa akuza, si: “mashtrim nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve” dhe “vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara”. Ndërkaq, deri më tani janë vënë nën hetim 12 persona, disa prej të cilëve funksionarë të minierës së Kërrabës, dhe ish-funksionarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se persona të ardhur nga rrethe të tjera të vendit dhe Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar pension të pamerituar, duke u paraqitur si ish-punonjës të minierës së Kërrabës, dhe kanë përfituar këtë pension qysh nga viti 2000, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme monetare.
Skema
Hetimet kanë arritur në përfundimin se personat e mësipërm për nxjerrjen e dokumenteve të falsifikuara për pension janë ndihmuar kundrejt shumave të parave prej 50 mijë lekësh nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (si specialistë të kuadrit në atë kohë, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, specialistë të kuadrit pranë ish-minierës së Kërrabës, etj). Burimet zyrtare konfirmuan se policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, po punojnë në drejtim të dokumentimit ligjor të veprimtarisë kriminale të ish-zyrtarëve të mësipërm, të cilët dyshohen edhe për shumë raste të tjera të përfitimit të paligjshëm të pensioneve si ish-punonjës të minierës Kërrabë dhe Ibë.
Dosjet
Sekuestrohen 200 dosje në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në të gjitha këto dosje, ku individë të ndryshëm kanë përfituar pension janë kryer shkelje dhe falsifikime dokumentesh. Policia e Tiranës ka bërë të ditur dje, se ka nisur një hetim i gjerë ndaj disa personave, mes tyre edhe ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurime Shoqërore, pasi dyshohen për disa akuza, si: “mashtrim nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve” dhe “vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara”. Ndërkaq, deri më tani janë vënë nën hetim 11 persona, disa prej të cilëve funksionarë të minierës së Kërrabës, dhe ish-funksionarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se persona të ardhur nga rrethe të tjera të vendit dhe Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar pension të pamerituar, duke u paraqitur si ish-punonjës të minierës së Kërrabës, dhe kanë përfituar këtë pension qysh nga viti 2000, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme monetare.
Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›