E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke qëllon emigrantët shqiptarë

Autori i Lajmit: red.
Tre shqiptarë janë qëlluar nga policia greke. Fatmirësisht, vetëm njëri prej tyre ka marrë plagë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Emigrantët kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale drejt Veriut të Greqisë, janë qëlluar me armë nga policia kufitare afër fshatit grek Htisma. Sipas policisë greke, shqiptarët ishin trafikantë droge. Tre shtetas shqiptarë, sipas versionit të policisë greke, ishin drejtuar drejt kufirit shqiptar dhe duke menduar se kanë përpara tyre trafikantë droge, policët greke të kufirit i kanë rrethuar dhe i kanë urdhëruar t i kontrollojnë. Por ndërkohë një prej shtetasve shqiptarë ka tentuar të qëllojë me automatik kallashnikov, ndërkohë që policët grekë e kanë çarmatosur. Sipas të njëjtit version, të pyetur nga policët grekë, tre shqiptarët kanë pranuar t i dërgojnë ata drejt vendit ku kishin fshehur drogën. Por një prej tyre është përpjekur t i rrëmbejë policit armën dhe pas një përleshjeje, polici grek ka qëlluar mbi shtetasin shqiptar, duke e plagosur rëndë në shpatull. Mësohet se i plagosuri është dërguar në spitalin e Janinës dhe fatmirësisht, pavarësisht nga gjendja e rëndë shëndetësore, është jashtë rrezikut për jetën. Polica greke e Janinës ka nisur një hetim për ngjarjen dhe ka arrestuar në fillim policin grek. Si provë materiale është konfiskuar arma e tij në krehërin e së cilës është gjetur vetëm një fishek. Ky fakt vërteton se polici grek ka qëlluar disa herë ndaj shqiptarit. Sipas mediave greke, mësohet se nga hetimet e deritanishme asnjë gjurmë gishtash nga klandestinët nuk është konstatuar në armën e policit grek. Për më tepër, plumbi që ka goditur njërin prej klandestinëve në shpatull dëshmon faktin e kundërt se policia greke ka gjuajtur mbi shqiptarët, pra nuk ka pasur perleshje si dhe droga e cila nuk është gjetur. Dy shtetasit e tjerë shqiptarë, identiteti i të cilëve ende nuk dihet, mbahen në burg nga policia greke. Ajo që shkakton reagime është fakti se gjykata ka lënë të lirë policin grek, pasi ai ka kërkuar kohë për të mbledhur provat e nevojshme ndaj shqiptarëve të cilët i akuzon për trafik të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›