E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohet i shumëkërkuari Astrit Keçi

Autori i Lajmit: red.
Përfundon në qeli i shumëkërkuari Astrit Keçi, 39 vjeç, nga Shijaku. Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se arrestimi i 39-vjeçarit u realizua pasi Gjykata e Rrethit Durrës, në vitin 2007 ka njohur vendimin e Gjykatës së Pizës Itali të vitit 2005, në bazë të së cilit ky shtetas është dënuar me 14 vjet e 4 muaj burg për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe e ka konvertuar këtë dënim në 10 vjet burg për të njëjtën vepër penale të parashikuar nga Kodi Penal. Sipas të njëjtave burime, mësohet se arrestimi i Astrit Keçit u bë i mundur gjatë një operacioni të organizuar mesnatën e kaluar në një fermë në zonën e Shijakut, pronë e tij, të cilën ky shtetas që prej një periudhe të shkurtër kohore e shfrytëzonte për t u fshehur. Gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij, shtetasi Astrit Keçi, sipas informacioneve të policisë, bëri rezistencë ndaj efektivave, por pa mundur të arratisej. E njëjta strukturë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, mundi të kapë e ndalojë një tjetër person të kërkuar për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake. Konkretisht, bëhet fjalë për shtetasin Elis Reka, 20 vjeç, me banim ne lagjen Nr. 11 Durrës, i dënuar për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Ky shtetas eshte shpallur ne kerkim nga Komisariati i Policise Durres më 21.10.2008, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, më 17.10.2008, ka nxjerrë ndaj tij urdhërndalimi për veprën penale të mbajtjes pa leje te armeve e municioneve luftarake. Lidhur me dy shtetasit në fjalë, nga e policia u kryen veprimet e nevojshme procedurale, të cilat do t i përcillen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›