E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hollywood prodhimet me te mira te vitit

Mes qindra filmave të nxjerrë gjatë vitit 2010, po rendisim ata që spikatën dhe bënë për vete shumë shpejt publikun, edhe pse nuk është e lehtë të gjesh të parin në listën e prodhimeve amerikane të këtij viti

Mes qindra filmave të nxjerrë gjatë vitit 2010, po rendisim ata që spikatën dhe bënë për vete shumë shpejt publikun, edhe pse nuk është e lehtë të gjesh të parin në listën e prodhimeve amerikane të këtij viti. Filma të ndryshëm, përgjithësisht të mirë, por shumë pak nga ata që na kanë rrëmbyer kokë e këmbë. Gjithsesi, vendi i parë në listë, sigurisht që i takon “Inception”.

“Inception”

Filmi i Christopher Nolan, ku interpretojnë aktorët Leonardo Di Caprio, Ken Watanabe, Joseph Gordon-Levitt, Ellen Page, Marion Cotillard dhe Cillian Murphy. Filmi tregon historinë e Dom Cobb (Leonardo Di Caprio), një hajduti profesionist, më i miri në botë kur bëhet fjalë për artin e rrezikshëm të ekstraksionit: d.m.th, për krimin e daljes së sekreteve të çmuara nga subkoshienca ndërsa njeriu ëndërron, kur mendja është në kulmin e brishtësisë së saj. Aftësitë e Cobb e kanë bërë atë një “aktor” të dorës së parë në botën e rrezikshme të spiunazhit industrial, duke e shndërruar në një të arratisur shumë të kërkuar në të gjithë botën.

Cobb ka një mundësi për të marrë hak, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse mund ta bëjë të pamundurën të mundur.

“Precious”

I dhimbshëm si një grusht në fytyrë, ‘Precious’ i Lee Daniels, ishte surpriza e këtij vitit mes kolosëve të Hollywood-it, që fitoi dy ‘Statuja të arta’ (aktorja më e mirë jo protagoniste dhe skenari më i mirë jo origjinal). Filmi tregon historinë e dhimbshme të Harlemit dhe origjinalitetin dhe zotësinë e bukuroshes Gabourey Sidibe.

“Avatar”

Ka qenë padyshim, ngjarja kinematografike e vitit. I pëlqyer dhe i urryer nga shumë veta, ‘Avatar’ i James Cameron nuk mund të mos hyjë në këtë klasifikim. Ai është filmi që ka kushtuar më shumë në historinë e kinemasë. Ky film epik 3-dimensional tregon historinë e një ish-ushtari të marinës, Jake Sully, i cili është i detyruar që të kalojë jetën e tij në një karrocë me rrota. Jake i jepet mundësia që të kontrollojë me anë të aftësive të tij një pajisje alienësh, e cila është e infiltruar në popullatën e Na'vi.

“The social network”

Nga klasifikimet e disa sajteve të kushtuara vetëm prodhimit të filmave, “The social network” është filmi më i bukur dhe më i mirë i vitit. Ai tregon historinë e ‘Facebook’-ut dhe krijuesit të tij, Mark Zuckenberg, që u zgjodh edhe ‘Njeriu i vitit’ sipas revistës “Time”. Filmi flet për krijimin e “Facebook”-ut, nga një i ri, gjeni i kompjuterëve, pak mizantrop si Mark Zuckerberg (në ekran Jesse Eisenberg) me ndihmën e mikut të tij, Eduardo Saverin (aktori me origjinë braziliane Andrew Garfield), kur ende pa mbushur 20 vjeç, në vitin 2003, prezantoi në Harvard rrjetin e ri social, që brenda pak muajve bëri për vete miliona përdorues.

“A single man”

Elegant, ashtu siç mund të jetë vetëm një stilist si Tom Ford, filmi i parë i dizajnerit amerikan, është jashtëzakonisht i bukur dhe i kuruar me kujdes deri në detaje. “A single man” tregon ditën e fundit të jetës së George, një profesor i letërsisë angleze në një universitet amerikan në vitet ‘60, që pas vdekjes së shokut përgatitet për vdekjen e tij.  Ai është frymëzuar nga romani me të njëjtin titull të Christopher Isherwood, dhe ka si protagonist aktorin Colin Firth.

“Dragon trainer”

Në vitin 2010 ka pasur shumë filma me kartonë, të bukur e interesantë, nga “Toy Story 3” tek “Rapunzel”, por për shumë dashamirës të kinemasë, historia e dragonjve, përplasjet dhe miqësitë e papritura mes tyre javë vlerësuar shumë. Dragonjtë kanë thuajse format e maceve dhe përcjellin argëtim dhe moral në mënyrën më të çuditshme të mundshme. Në luftën mes dy filmave të ‘Dreamworks’ për vitin 2010, ‘Dragon trainer’ është sigurisht, shumë herë më i mirë se ‘Megamind’.

“American life”

Sam Mendes na flet ende për raportin në çift, por me tone shumë të ndryshme nga ato të ‘Revolutionary Road’. Të qeshura, ndjesi groteske, por edhe pak dramacitet. Është një nga ata filma që të bën të dalësh nga kinemaja i kënaqur, i gëzuar, me ndjesinë se ke nxënë edhe një mësim të mirë.

“Invictus”

Është pikërisht Clint Eastwood i “Million Dollar Baby” apo Gran Torino, që di t’i japë magji filmave amerikanë. Pastaj, Morgan Freeman duket si fotokopja e Nelson Mandela dhe skenat e lojës së rugby janë aq të bukura sa edhe mesazhi që ato përçojnë: integrimi dhe bashkimi përmes sportit.

“Shutter island”

Është një film që mban firmën e regjisori Martin Scorcese. Sigurisht që një kryevepër e firmosur prej tij nuk mund të mos bënte pjesë në top-listën e filmave më të mirë të këtij viti.

Në vitin 1954, Teddy Daniels dhe Chuck Aule hetojnë mbi zhdukjen e një pacienti të një spitali psikiatrik me siguri maksimale. Spitali ndodhet në Shutter island, një ishull rreth 1 orë larg brigjeve te Bostonit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›