E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llukashenkot e Shqiperise

Në një vend të largët diku në ish-hapësirat sovjetike, edhe pas njëzet vitesh në pushtet, i fuqishmi Llukashenko “fitoi” sërish zgjedhjet. Më pas iu hodhi prangat opozitarëve. Dhe me sa duket, nuk ka ndër mend të largohet. Assesi nuk mund të krahasoj gjithë këtë pamje me situatën krejt tjetër dhe disa arritje demokratike të vendit tonë. Por nuk mund të mos heqësh një paralele, kur mendon se ashtu si ky car i ri i Bjellorusisë, edhe “Llukashenkot” e Shqipërisë, në dekada, vazhdojnë të qëndrojnë në poste të larta zyrtare e partiake, pa e konsumuar qoftë edhe njëherë, në një rast të vetëm, aktin fisnik e demokratik të dorëheqjes. Dikush në parti dhe në majat e pushtetit, tjetri në bashki, po ato fytyra, po ato sherre, po ai mentalitet mëtuesish, që nuk dinë të ikin nga pushteti, shkurtazi nga abuzimet dhe fitimet (për vete dhe për familjet dhe oborret e tyre).

Përkundrejt kësaj pamjeje mediokre, të tilla kemi parë gjithë jetën, për fat të keq edhe gjithë tranzicionin - na vijnë shembuj të tjerë nga Europa e qytetëruar. Përpara disa ditësh, Stewart Stevenson, ministër i Transportit, Infrastrukturës dhe Ndryshimeve Klimatike në qeverinë e Skocisë, dha dorëheqjen. Ai i shkroi një letër Kryeministrit Alex Salmond, duke sqaruar pozitën e tij të vështirë dhe, në të njëjtën kohë, duke i kërkuar ta lironte nga detyra. Kjo, për shkak të menaxhimit të situatës së transportit në vend, në kushtet e një dimri të paparë. Dhe ja çfarë thotë midis të tjerave ky njeri dhe politikan i përgjegjshëm: “Të hënën, ne u përballëm me një sfidë edhe më të madhe. Edhe pse ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për të trajtuar këtë ngjarje, unë mendoj se mund të bënim shumë më tepër për të siguruar që qytetarët, të cilët u kapën në një rrethanë të vështirë dhe të frikshme, të ishin të informuar më mirë rreth situatës.” Bëni kujdes: “...që qytetarët, të cilët u kapën në një rrethanë të vështirë dhe të frikshme, të ishin të informuar më mirë rreth situatës.” Dhe tani, kujtoni vitin ‘97, kujtoni Gërdecin, (asnjëherë i zbardhur plotësisht); kujtoni skandalin e vjedhjes së floririt; kujtoni përmbytjet e Shkodrës dhe këto të fundit në Lezhë; kujtoni vdekjen e katër të miturve në Sukth. E të tjera e të tjera.

Shembujt e një sjelljeje qytetare e të përgjegjshme nuk mungojnë edhe në rajonin tonë, që shpeshherë cilësohet i prapambetur. Në shtetet fqinje, edhe ato më modestët, në Maqedoni dhe në Malin e Zi, pavarësisht nga problemet dhe sidomos parashtrimet nacionale, ka gjithsesi një mekanizëm të civilizuar që vepron. Këto ditë, mediat shtetërore të Malit të Zi komunikuan se Kryeministri Millo Gjukanoviç dha dorëheqjen. (Fillimisht nuk u dhanë arsyet e dorëheqjes.) Gjukanoviç pati dhënë dorëheqje edhe në fund të vitit 2006, por u kthye si Kryeministër në shkurt të vitit 2008. Kujtojmë se sot Mali i Zi është kandidat i BE-së. Edhe Gjukanoviç ka një karrierë të gjatë politike, është një nga politikanët më jetëgjatë në Ballkan. Por dikur, thotë “Mjaft!”

Në sjelljen e politikanëve shqiptarë, kjo edukatë dhe ky qëndrim nuk pëlqehen. Më i vjetri prej tyre i periudhës së tranzicionit, Sali Berisha, me kontribute në gjithë periudhën e kërkimit të demokracisë, megjithatë është kapur “mat” disa herë: në vitin 1994, (dështimi i projektkushtetutës); më tej, viti 1997, pastaj ngjarjet në Gërdec, përmbytjet etj. Ai ka thënë (gjoja me shaka) se do të jetë këtu (në politikë a në udhëheqje?) edhe nja tridhjetë vite të tjera. Shikoni pra, se si e përqeshin përgjegjshmërinë dhe sjelljen demokratike liderët e këtij vendi. Edi Rama ka drejtuar për tri mandate rresht Bashkinë e Tiranës. Sigurisht ka dhënë edhe ai kontribute, sikundër qytetarët i kanë gjetur dhe i gjejnë një sërë të metash. Kundërshtarët politikë (dhe jo vetëm ata) flasin për abuzime të mëdha nga ana e tij dhe e klanit që ka përqark. Nuk është asnjëherë i qartë në atë se çfarë do të zgjedhë për të ardhmen e tij politike! Në vite, një sërë ministrash e zyrtarë të lartë, janë kapur në skandale e në abuzime. Nuk ka lëvizur (me dëshirën e tij) kurrkush.

Së fundi, ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka lënë të kuptohet se paraardhësit e tij kanë kryer abuzime në fushën e industrisë minerare. Sipas tij, ish-ministri Genc Ruli i ka dhënë kompanisë ACR imunitet të plotë për të gjitha shkeljet, duke e bërë shtetin “të pafuqishëm për të ndërhyrë…” “Më vonë, Ministria e Ekonomisë më bëri të ditur se ishte arritur një marrëveshje që të lidhte duart të bëje diçka më shumë”, thotë ish-ministri Prifti. Por nuk luan kurrkush nga vendi, jo pas këtij deklarimi, por edhe kur ndodhin Gërdece e përmbytje të llahtarshme si ato në Shkodër, Lezhë e gjetkë, vrasje mizore si ajo e katër të miturve në Sukth etj. Deri edhe mocionet e paralajmëruara (në Kuvend, por dhe në Bashkinë e Tiranës) kanë mbetur në letër e në thashetheme.

Për t’i dhënë një shpjegim apo një përgjigje sa më realiste gjithë këtij parashtrimi, po themi se gjithë kjo zvarritje spektakolare është vazhdimi i një loje politike të vështirë, prej nga shumë pak fiton vendi, krahasuar me atë çka fitojnë individët dhe oborret përqark tyre. Na duhet ende shumë kohë të marrim jo statusin e vendit kandidat për në BE, por atë të qytetarit kandidat për në BE. Megjithatë, diku në fund të romanit të tij “Konti i Monte Kristos”, Aleksandër Duma thotë: “Prisni dhe shpresoni!”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›